“Fushata e errët” e Listës Serbe, opinionisti zbërthen planin për zgjedhjet lokale – përmend disa rreziqe

Në prag të zgjedhjeve lokale në Kosovë, Lista Serbe ka intensifikuar fushatën e saj politike përmes videove propaganduese me përmbajtje fyese, nxitëse dhe të rrezikshme për rendin demokratik dhe bashkëjetesën ndëretnike në vend.

E për këtë çështje për “Bota sot” foli opinionisti Dedë Preqi, i cili videot e tilla i cilësoi si të papranueshme, pasi sipas tij kanë qëllime të caktuara dhe propaganduese, ku kësisoj po shkelin edhe ligjin.

“Videot që i reklamon Lista Serbe në prag të zgjedhjeve lokale, janë fyese dhe kanë përmbajtje tipike raciste, por që u mungon materja, sepse flitet për një çështje, e cila nuk shikohet realisht, sepse e përdorin për qëllime të caktuara dhe denigruese, që i ngjanë një inskenimi të veçantë dhe të programuar, tmerrësisht ku gjithçka luhet me ndjenjat njerëzore të këtij populli dhe vendi.

TV, Puls, me 18 shtator të këtij viti ka transmetuar video me përmbajtje fyese dhe cënuese për udhëheqësit dhe institucionet e vendit, që i aranzhon dhe i paraqet Lista Serbe, duke thyer rregullat e rendit dhe ligjit të kodit zgjedhor me propaganda dhe shpifje, të cilat e cënojnë interesin nacional dhe sigurinë e këtij vendi”, u shpreh ai.

Dedë Preqi

Në këtë pikë, ai theksoi faktin se në asnjë vend minoritetet nuk trajtohen më mirë se në Kosovë, ku kanë të drejta të plota.

Sipas tij, Lista Serbe po synon që me politika të Beogradit të shpif kundër Kosovës.

Përmbajtjet e spoteve të tilla, kinse «çdo ditë, populli serb me të drejtë pyet, si ta durojmë terrorin, si ta vendosim lirinë, si t’i mbajmë fëmijët këtu, si të mbijetojmë « e tjera, janë spote që dalin nga Lista Serbe, me këtë lloj përmbajtje urrejtëse dhe nxitëse e konfliktit ndëretnik në Kosovë.

Komisioni i Pavarur i Mediave në Kosovë, ka kryer me vend punën e vet ndaj spotit politik të këtij lloji, që e fabrikon Lista Serbe, e cila përmes këtij spoti bie ndesh me kodin e etikës dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

“Lista Serbe, sipas përshkrimeve të çdo logjike ka një mjedis të « qelbur », dhe në këto rrethana ka një botë për rreth që e kërcënojnë, siç është krimineli Milan Radoiçiq, dhe të tjerë, të cilët i komandojnë dhe i financojnë për të penguar dhe barikaduar zhvillimet dhe sukseset e arritura në Kosovë.

KPM, urdhëron që spotet e tilla, që cënojnë interesin nacional dhe sigurinë e shtetit duhet menjëherë të ndërpriten brenda këtij organizimi, duke ditur se në Kosovë, ka ligje dhe rend, që duhet ti bindet sëcili programit dhe ligjeve kushtetuese të këtij vendi, pasi kjo është edhe mënyra ligjore për sëcilin që provon dhe pretendon në një rrugë të gabuar.

Lista Serbe, nuk do duhej të figuronte në listën e zgjedhjeve fare, apo të përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës, sepse nuk e meriton, nëse kjo nuk i përfasqëson as interesat e serbëve të Kosovës, kur themelet e kësaj liste janë vënë qëllimshëm për të penguar serbët e Kosovës të inkuadrohen në institucionet e këtij vendi”, shpjegoi Preqi.

Ndër të tjera, ai shtoi se pjesë e Listës Serbe janë edhe disa pjesëtarë të grupeve kriminale, e që ky është një plan me paramendim, pasi kjo parti serbe vepron me direktiva të qeverisë së Beogradit.

“Garës për zgjedhjet lokale për kryetar komunash nga Lista Serbe, futën edhe garues të grupeve kriminale, siç është edhe Millosh Periq, njëri ndër ata që kishte marrë pjesë në sulmin e Banjskës, bashkë me kryekriminelin Milan Radoiçiq, që ky plan vjen me paramendim, për të krijuar një ekzekutiv të pushtetit lokal në komunat e pakicës serbe me udhëheqje nga strukturat kriminale.

Prandaj, Lista Serbe, është e porositur të politizoj çdo lëvizje politike në Kuvend, që për shkakun e mos-zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit, nga kjo Listë, Kuvendi është bllokuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila edhe kjo e fundit bie pre e saj, duke e lënë vendin pa institucione”, përfundoi Dedë Preqi