Situata politike në Kosovë aktualisht karakterizohet nga një periudhë pritjeje dhe pasigurie institucionale, e cila ka ardhur si rezultat i vendimit të përkohshëm të Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar çdo veprim që lidhet me formimin e qeverisë së re.
Pas zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit, ku Lëvizja Vetëvendosje doli forca e parë politike, pritjet publike dhe politike janë të fokusuara te formimi i Qeverisë Kurti 3.
Megjithatë, kjo pritje është shtyrë për shkak të masës së përkohshme të vendosur nga Gjykata, e cila ndalon veprimet parlamentare për konstituimin e qeverisë deri më 30 shtator.
Në këtë kontekst, ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, shpreh bindjen se Vetëvendosje do të udhëheqë sërish me qeverinë, duke theksuar se menjëherë pas vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, do të mundësohet konstituimi dhe formimi i Qeverisë Kurti 3 brenda afatit të paraparë.
Fillimisht, ai u shpreh se është e qartë që vetëm LVV mund ta bëj qeverinë re dhe pengesa e vetme për formimin e saj mund të bëhet Gjykata Kushteteses.

“Nisur pikërisht nga akti i jashtëzakonshëm i vet të ngarkuarës me punë në Ambasadën Amerikane Anu Pratipati, e cila shkoj deri atje sa tu kërkoi partive opozitare, që ta formomin Qeverinë, por asnjëra nga ato nuk dëshmuan guxim as kurajë për marrjen përsipër të kësaj përgjegjësia madhore, tanimë është plotësisht e qartë se vetëm VV me Albin Kurtin, mundet e guxon dhe ka vendosmëri të plotë, ta formojë Qeverinë e re dhe institucionet tjera të Republikës së Kosovës.
Pengesë për formimin e Qeverisë Kurti 3, mund të bëhet vetëm Gjykata Kushtetuese nëse ajo merr guximin të shpikë VETO-ETNIKE, ta zhbëjë konstituimin e Kuvendit dhe të shkel me të dy këmbët Kushtetutën e vendit, duke i dhënë VETO dhe mbifuqishmëri të 100% mbi Kushtetutën dhe Legjislativin e Republikës së Kosovës, dorës së zgjatur të Serbisë në Kosovë, të ashtuquajturës “listë serbe”, gjë që sipas ish Zëvendëskryetarit të Kushtetueses z.K.Kryeziu do të konsiderohej edhe tradhti ndaj shtetit të Kosovës!” – deklaroi ai.
Po ashtu, Qarri, paralajmëroi se në rast e Kushtetuesaj vendos në favor të Listës Serbe do ishte një vendim i rrezikshëm për shtetin tonë.
Në këtë pikë, ai nuk përjashtoi edhe shkuarjen në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme.
“Dhe në një rast makabër si ky, për mosmiratimin e këtij PRECEDENTI të rrezikshëm për shtetin e Kosovës, shfuqizimin e kësaj veto-je vrastare të demokracisë dhe nxjerrjen e vendit nga ngërçi edhe më i madh politik që mund të krijohej me këtë akt perfid nga vet kushtetuesja, nuk mbetet rrugëdalje tjetër përpos shkuarjes në zgjedhje të reja, ndryshe shihet qartë se për formimin e Qeverisë, nuk ka guxim asnjë nga partitë opozitare dhe vetëm Albin Kurti e VV mund ta marrë përsipër krijimin e Qeverisë dhe të gjitha institucioneve të reja shtetërore.
Tutje, analisti tha se partitë e ish-opozitës treguan qartas se kishin frikë ta merrnin si përgjegjësi formimin e qeverisë së re, për këtë u dëshmua se vetëm LVV ka guxim që ta bëj një gjë të tillë.
Ai në rast të zgjedhjeve të reja, kishte edhe disa dyshime për partitë e tjera dhe atë se çka ato mund të ofronin.
“Madje derisa ato dëshmuan se patën frikë ta merrnin përsipër formimin e Qeverisë dhe nuk treguan unitet as gatishmëri për marrjen përsipër të udhëheqjes së shtetit të Kosovës, përveçse AAK dhe Nisma, të cilat edhe ashtu pritet përfundimisht të bien nën pragun zgjedhor, unë e kam shumë të paqartë, se me çfarë slogani tani, do të shkojnë edhe vet partitë kryesore opozitare në zgjedhjet e ardhshme, apo do të dalin me “Banerat” famoz: Ju lutem, neve na votoni, vetëm që të mos biem nën pragun zgjedhor dhe aq sa të mbetemi në OPOZITË, sepse nuk kemi guxim, gatishmëri as unitet, për formimin e Qeverisë dhe marrjen përsipër të udhëheqjes së shtetit të Kosovës.
Ndër të tjera, analisti potencoi faktin se ndonëse LVV nuk i ka numrat, partitë e vogla duhet t’ia japin votën, në mënyrë që t’i shpëtojnë zgjedhjeve të reja, pasi do rrezikonin mos kalimin e pragut zgjedhor.
“Prandaj megjithëse aktualisht Vetëvendosje nuk i ka numrat e mjaftueshëm për të qeverisur vendin e vetme, partitë e vogla të cilat nuk e kanë të sigurt përfaqësimin në Kuvend, o duhet t`ia japin votën VV-së për formimin e Qeverisë Kurti 3, ose mandati i tyre do të marrë fund këtu dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja, në mënyrë që sovrani, të vendosë me votën e tij të lirë, se kush dhe sa për %, të përgjegjësisë do të marrë për udhëheqjen e vendit, me shpresën se në zgjedhjet e reja, nëse mbahen së shpejti, nuk do të ketë më ndërhyrje apo kurdisje, nga jashtë të rezultatit, as fabrikim të votave me “postë” të “diasporës”, nga parti që deklarohen publikisht kundër çfarëdo forme të qeverisjes dhe që janë këtu, vetëm për të prishur e përçarë, pa ofruar asnjë formë uniteti as mundësi të shtet ndërtimit dhe avancimit të Republikës së Kosovës”, përfundoi Gani Qarri.
Mehmeti: Pa shumicë, s’ka qeveri
Kurse, analisti politik, Faton Mehmeti u shpreh se deklarata e Çekut është më shumë bindje politike, se sa realitet politik.

Ndonëse, ai potencoi faktin se formimi i qeverisë së re pa LVV është i pamundur.
Është e vërtetë që Vetëvendosje ka dalë fituese dhe ka marrë mbështetjen më të madhe nga qytetarët, por për të qeverisur nuk mjafton vetëm pozicioni i partisë së parë — duhen edhe numrat e shumicës parlamentare. Pa to, çdo qeveri mbetet e pamundur”, theksoi ai.
E për këtë, Mehmeti parashikoi tre skenarët e mundshëm për formimin e qeverisë Kurti 3, e ku një prej tyre ishte koalicioni me LDK-në.
“Në këtë kontekst, skenarët më të mundshëm për formimin e Qeverisë Kurti 3 janë:
1. Koalicion me një parti shqiptare – LDK ose PDK mbeten partnerët e vetëm realë për sigurimin e shumicës. Një marrëveshje me PDK-në do të shihej si hap drejt stabilitetit politik, por do të ngjallte reagime të ashpra brenda bazës së Vetëvendosjes.
Një koalicion me LDK-në do të ishte më i pranueshëm për elektoratin, por përvojat e mëparshme të bashkëqeverisjes e bëjnë të vështirë ndërtimin e besimit.
2. Qeveri e pakicës, ku Vetëvendosje do të kërkonte mbështetje të jashtme për ligje dhe vendime të caktuara. Ky model është tejet i brishtë dhe rrezikon qëndrueshmërinë e institucioneve.
3. Bashkëpunim me partitë e minoriteteve, të cilat janë pjesë e domosdoshme e çdo qeverie sipas Kushtetutës, por që nuk mjaftojnë për sigurimin e shumicës absolute”, theksoi ai.
Në fund, analisti shtoi se pa marrëveshje politike mes partive, vështirë se mund të kemi qeveri të re.
Kësisoj, mesazhi i tij ishte që pa shumicë nuk ka qeveri.
“Në këtë situatë, mbetet e qartë se pa kompromis politik dhe marrëveshje koalicioni, nuk ka garanci për formimin e Qeverisë Kurti 3. Bindja e Çekut është legjitime si pozicion politik, por nuk e zëvendëson aritmetikën e Kuvendit. Në fund, mesazhi kryesor është i thjeshtë: Fitimi i zgjedhjeve është kusht i parë për qeverisje, por jo i mjaftueshëm. Pa shumicë, s’ka qeveri”, përmbylli Faton Mehmeti



Të tjera
10 gjëra për çka njerëzit pendohen që s’i kanë bërë në rini
Oficerja e FSK-së Lirijona Bajraktari triumfon në Abu Dhabi
Puna gjatë natës të mplak trurin