Greta Thunberg ka mbërritur në Athinë pas deportimit nga Izraeli së bashku me 170 aktivistë të tjerë të Flotiljes Globale Sumud. Anijet e tyre u ndaluan në Mesdhe javën e kaluar gjatë përpjekjes për të dërguar ndihma drejt Gazës.
“Po ndodh një gjenocid para syve tanë. Nuk ka askush privilegjin të thotë se nuk e dimë se çfarë po ndodh. Askush në të ardhmen nuk do të mund të thotë se nuk e dinim. Shtetet kanë detyrimin ligjor të parandalojnë dhe të ndalojnë një gjenocid, që do të thotë të ndalet përfshirja, të ushtrohet presion real dhe të ndalohen transferimet e armëve. Ne nuk po shohim asgjë nga kjo, madje as minimumin më të vogël nga qeveritë tona”, tha Thunberg, në Aeroportin Ndërkombëtar Eleftherios Venizelos.
Ministria e Jashtme e Izraelit publikoi imazhe të “Greta-s dhe pjesëmarrësve të tjerë në këtë PR stunt” në aeroport para deportimit. Disa aktivistë kanë akuzuar keqtrajtim dhe poshtërim nga rojet izraelite, ndërsa Izraeli ka mohuar këto akuza, raporton Independent.
Një flotë e re prej nëntë anijesh ka lundruar drejt Gazës për të sfiduar bllokadën izraelite. Një nga anijet quhet “Shpirti i Shpirtit Tim”, për nder të gjyshit palestinez Khaled Nabhan, i cili u vra nga një sulm izraelit në dhjetor 2024.
Ministri i Drejtësisë i Izraelit, Yariv Levin, tha se 170 aktivistë janë deportuar dhe nga 309 të mbetur në paraburgim, 200 pritet të deportohen brenda 24 orëve të ardhshme. Aktivistët kanë deklaruar se janë rrahur, tërhequr përgjatë dyshemesë, mbajtur me lidhëse në sy dhe ofenduar, duke përfshirë edhe Greta Thunberg.
Në një video në rrjetet sociale, Thunberg kërkoi lirimin e bashkëpunëtorëve të saj: “Ne tani jemi shumë që jemi të sigurt dhe të liruar nga burgimi dhe trajtimi absurd, por shumë shokë tanë nga Flotilja Globale Sumud nuk janë, dhe ata duhet të lirohen tani.”/rtk
Të tjera
Samiti i Berlinit mbahet këtë vit në Londër – liderët pritet të diskutojnë për integrimin evropian dhe bashkëpunimin rajonal
Ekspertët: Zgjedhjet e shpeshta ndikojnë në paqëndrueshmërinë politike dhe ekonomike të vendit
Në seancën gjyqësore, Mujka e Muzliukaj shpallen të pafajshëm për rastin e korrupsionit