Pas interpretimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit si hapi i fundit drejt konstituimit, KDI u bën thirrje deputetëve dhe partive politike të përfaqësuara në Kuvend që të respektojnë këtë vendim dhe të ndërmarrin pa vonesë hapat e nevojshëm për zgjedhjen e anëtarit të mbetur të Kryesisë, duke u bazuar në normat kushtetuese dhe legjitimitetin qytetar.
KDI përmes një komunikate për media tha se zgjedhja e anëtarit të pestë të kryesisë nga komuniteti serb e përmbyll konstituimin e Kuvendit dhe i hapë rrugë krijimit të Qeverisë, rrjedhimisht funksionalizimit të plotë të institucioneve të vendit.
“Saktësisht 8 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme, përmbyllja e konstituimit të Kuvendit nuk mund të shihet vetëm një çështje formale, por një hap i domosdoshëm për forcimin e proceseve demokratike dhe garantimin e funksionimit efektiv të institucioneve kushtetuese. Qytetarët e vendit, të cilët kanë dhënë verdiktin e tyre përmes votës, tanimë kanë humbur shumë dhe presin veprime politike zhbllokuese dhe racionale”.
“KDI rikujton se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është detyrim kushtetues dhe themel i shtetit të së drejtës, andaj të gjitha subjektet politike duhet të veprojnë në përputhje me këtë parim dhe të kontribuojnë në rikthimin e normalitetit institucional dhe funksionimin e demokracisë parlamentare”, thuhet tutje në komunikatë.



Të tjera
Për herë të parë Specialja publikon pamjet nga brenda burgut në Hagë ku mbahen Thaçi dhe të tjerët
Kurti me Haxhiun bëjnë homazhe te varri i dëshmorit Agron Rrahmani
Këto janë përfitimet shëndetësore të ecjes në kohën e dimrit