Në dosjen e fundit të Gjykatës Speciale, Prokuroria ka paraqitur një varg pretendimesh të reja për mënyrën se si Hashim Thaçi, gjatë periudhës së paraburgimit, ka tentuar të ndikojë në dëshmitarë dhe të ndërtojë një version alternativ të ngjarjeve të luftës.
Sipas dokumenteve, që mbështeten në materiale të incizuara dhe dëshmi të vizitave në paraburgim, Thaçi është përpjekur të formësojë një narrativë që e minimizon rolin e tij ushtarak në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe e zhvendos autoritetin kryesor te figura e Adem Demaçit.
Në dokument thuhet se Thaçi i ka konsideruar katër persona si “dëshmitarë vendimtarë” – Bislim Zyrapin, Sokol Bashotën, Sylejman Selimin dhe Shukri Bujën – duke u dhënë udhëzime për mënyrën se si të dëshmojnë. Prokuroria përmend disa takime të zhvilluara gjatë muajve korrik–tetor 2023, ku këta persona janë përmendur si “katër kryesorët” e UÇK-së.
Në njërën nga vizitat, sipas dosjes, Thaçi i kishte këshilluar ata të ishin “të zgjuar si Remi” dhe të shmangnin çdo dëshmi që mund të dëmtonte të akuzuarit. Po ashtu, në një bisedë të regjistruar, i drejtohet Fadil Fazliut me fjalët: “Nëse nuk di si ta menaxhosh këtë, ardhja këtu do të të shkatërrojë. Ai mund të kthehet fizikisht, por si person ka mbaruar.”
Sipas Prokurorisë, këto komunikime përbëjnë prova se Thaçi po përpiqej të ndikonte në dëshmitarë për të ndërtuar një version të ri të hierarkisë dhe vendimmarrjes në UÇK. Ky version, sipas dosjes, parashihte që:
▶︎ komandantët e zonave të shiheshin si figura të pavarura që nuk merrnin urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm;
▶︎ vetë Thaçi dhe Kadri Veseli të përshkruheshin si të përfshirë kryesisht në veprimtari politike e diplomatike.
Në një dokument të gjetur tek Bashkim Smakaj, që përfshihet në dosje, shkruhet se “që nga gushti i vitit 1998, Adem Demaçi ishte autoriteti kryesor për marrjen e vendimeve në UÇK”, një formulim që sipas Prokurorisë pasqyron pikërisht udhëzimet e Thaçit për mënyrën se si duhej të dëshmonin të përfshirët.
Udhëzimet për dëshmitarët dhe “riinterpretimi” i historisë
Në këtë kontekst, sipas Prokurorisë, Thaçi ka udhëzuar që dëshmitarët të deklaronin se gjatë pranverës dhe verës së vitit 1998, Shtabi i Përgjithshëm përbëhej vetëm nga disa individë të përmendur me emra të veçantë, ndërsa ai dhe Kadri Veseli merreshin me “çështje politike dhe mediatike” dhe zhvillonin takime me përfaqësues ndërkombëtarë.
Gjithashtu, sipas dokumenteve, Thaçi ka sugjeruar që dëshmitarët të theksojnë se Adem Demaçi ishte autoriteti më i lartë në UÇK dhe se komandantët e zonave vepronin në mënyrë të pavarur, pa marrë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm.
Në këtë version të ngjarjeve, përgjegjësia për çdo veprim gjatë luftës shihej si individuale dhe jo si institucionale, ndërsa Qeveria e Përkohshme e Kosovës paraqitej si “aspiratë” që nuk kishte funksionuar për shkak të fillimit të bombardimeve të NATO-s dhe mospjesëmarrjes së LDK-së.
Sipas Prokurorisë, Thaçi ka tentuar gjithashtu që të minimizojë rëndësinë e komunikatave të pasluftës të UÇK-së, duke i cilësuar ato si “propagandë”, dhe të theksojë se vetëm Adem Jashari kishte luajtur rolin kryesor në ngritjen e moralit të luftëtarëve.
“Të mos na turpërojnë”: bisedat e incizuara dhe presioni mbi dëshmitarët
Në dosje citohet se gjatë vizitave në paraburgim, Thaçi u ka dhënë vizitorëve të tij argumente se si t’i bindin dëshmitarët që të ndryshojnë dëshmitë e tyre, duke i paralajmëruar që “të mos dalin të turpëruar” dhe “të mos na turpërojnë”.
Një nga fragmentet e incizimit të përfshirë në dosje përmban këtë dialog midis Thaçit dhe Fadil Fazliut:
Thaçi: “Nëse nuk di si ta menaxhosh këtë, ardhja këtu do të të shkatërrojë.”
Fazliu: “Po.”
Thaçi: “Ai mund të kthehet fizikisht dhe të hajë ushqim, por si person ka mbaruar. Burgu dhe turpi.”
Sipas Prokurorisë, këto incizime tregojnë një fushatë të qëllimshme për të ushtruar ndikim ndaj dëshmitarëve dhe për të penguar ndjekjen penale të krimeve të luftës në mënyrë efektive.
Nga hetimi në aktakuzë: strukturat e përfshira dhe akuzat
Në dhjetor të vitit 2024, ndaj Thaçit u ngrit aktakuza e re për “pengim të administrimit të drejtësisë”.
Në të përfshihen edhe Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Kilaj dhe Hajredin Kuçi, të cilët – sipas Prokurorisë – kanë vepruar në grupe të koordinuara për të ndikuar në dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS).
Sipas aktakuzës, Thaçi i ka udhëhequr këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës kur vetë ishte nën gjykim për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Prokuroria thekson se anëtarët e të ashtuquajturve “Grupi Fazliu”, “Grupi Smakaj” dhe “Grupi Kilaj” kanë bashkëpunuar në një model të përbashkët për të ndikuar në dëshmitarët gjatë vizitave jo të privilegjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.
Në total, Hashim Thaçi akuzohet për:
– 3 vepra për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare,
– 3 për shkelje të fshehtësisë së procedurës,
– 4 për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërsa Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë dhe mosbindje ndaj gjykatës, kurse Hajredin Kuçi për dy akuza të mosbindjes ndaj gjykatës.
Thaçi vazhdon të qëndrojë në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, ku po gjykohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa procesi i ri për “pengim të drejtësisë” pritet të zhvillohet paralelisht me gjykimin kryesor.
Të tjera
Mediumi luksemburgas: Serbia lëviz në një “litar të hollë” mes Lindjes dhe Perëndimit – Vuçiq rrezikon izolimin e vendit
Shqiptarët kryesojnë në 16 komuna në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut
12 organizata të shoqërisë civile u kërkojnë liderëve të BE-së heqjen e masave ndaj Kosovës