Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha komentoi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PD raportimin në komisionet parlamentare të drejtuesve të institucioneve të drejtësisë.
Berisha falënderoi deputetët e opozitës për angazhimin e tyre.
“Dje, qytetarët shqiptarë ndoqën punimet e komisioneve parlamentare, ku raportuan përfaqësues të narkoqeverisë dhe narkodrejtësisë. Dua të falënderoj të gjithë deputetët për angazhimin e tyre, civilitetin që dëshmuan, angazhimin në pyetje, siç ishte rregullorja, dhe autopsinë që i bënë jo vetëm institucioneve të dështuara të reformës të drejtësisë të narkoshtetit, por edhe përfaqësuesve të qeverisë në ato komisione”, tha Berisha.
Berisha u shpreh se përfaqësimi i deputetëve të mazhorancës si dhe drejtuesve të organeve të drejtësisë ishte “mjeran”.
“Ju e patë se si mëkatarët, që të gjithë të implikuar në afera të ndryshme, qëndronin si mjeranë para kujt? Para drejtuesve të organeve të drejtësisë, të cilat faktikisht janë dëshmuar armike të egra të pluralizmit në Shqipëri, janë dëshmuar institucionet më të korruptuara në Shqipëri dhe në Europë, janë dëshmuar bashkëpunëtore në krime”, tha Berisha.
Berisha gjithashtu foli për Marrëveshjen e Paqes për Gazën, të cilën sipas tij nuk e ka përshëndetur vendi ynë, duke dënuar këtë qëndrim.
“Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, Shqipëria është një vend me lidhje të forta miqësore me Izraelin, por e vërteta është edhe me shtetin e Palestinës. Tani e njohën, por ne e kemi pasur të njohur. Ne nuk e kemi ndërprerë asnjëherë njohjen e shtetit palestinez dhe këtu ka pasur gjithmonë ambasadorë të akredituar”, tha ai.
Berisha po ashtu përshëndeti edhe zgjedhjet lokale në Kosovë, duke u shprehur se, “mesazhi i zgjedhjeve të lira në Kosovë është kushtrim për ne”.
Sot Berisha festoi edhe 81-vjetorin e lindjes, teksa grupi parlamentar i PD i dhuroi dy buqeta me lule ngjyrëblu.
Të tjera
Meshkujt që nuk mund t’i bëjnë 10 pompa janë më të rrezikuar nga sëmundjet e zemrës
Krimi dhe politika: Zbulime nga vëllai i Dajakut për strukturat e financuara nga fondi i 3% të Bukoshit
Ushqimet që asesi nuk duhet t’i lani para gatimit