Begaj: AADF, model bashkëpunimi që prodhon zhvillim dhe inovacion në Shqipëri

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti sot në një takim pune bordin drejtues të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF).

Kreu i Shtetit u shprehu anëtarëve të bordit vlerësimin e tij për kontributin e AADF-së në mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjatë në zhvillimin e Shqipërisë.

Presidenti Begaj vlerësoi në mënyrë të veçantë se investimet e Fondacionit kanë qenë një shembull suksesi dhe partneriteti afatgjatë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushat ku vendi ka pasur më shumë nevojë, si: në arsim, kulturë, turizëm sistemin bankar, sigurimet dhe infrastrukturë.

Kreu i Shtetit përgëzoi, gjithashtu, programet e fundit të AADF-së që synojnë forcimin e kapitalit njerëzor përmes bursave, praktikave profesionale dhe nismave në fushën e inteligjencës artificiale për të rinjtë shqiptarë. Po ashtu, Presidenti Begaj nënvizoi rëndësinë e këtyre projekteve për të zvogëluar ikjen e trurit, për të përfshirë diasporën akademike dhe për të ndërkombëtarizuar kërkimin shkencor në Shqipëri.

Duke ndalur te bashkëpunimi në fushën e sigurisë kibernetike, Kreu i Shtetit përmendi marrëveshjen mes AADF-së, Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dhe Protik Innovation Center, si një nismë që ndihmon ndjeshëm në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe mbrojtjen e infrastrukturës digjitale kombëtare.

“Shqipëria ka përfituar ndjeshëm nga përvoja, vizioni dhe partneriteti juaj”, u shpreh Presidenti Begaj, duke shtuar se “AADF është një model se si bashkëpunimi mes dy kombeve mike, Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, mund të prodhojë zhvillim të qëndrueshëm dhe inovativ”.