Mitrovica e veriut dhe tri komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës- Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi, janë udhëhequr nga kryetarë shqiptarë që nga maji i vitit 2023, kjo pasi Lista serbe i braktisi institucionet e Kosovës, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së vendit për t’i zëvendësuar targat serbe të makinave.
Zgjedhjet e së dielës kanë rikthyer Listën serbe në komunat me shumicë serbe në veri dhe kjo sipas kësaj partie është fitore e popullit serb.
“Kjo është një fitore e popullit serb, e bashkimit dhe solidaritetit serb” – kanë thënë nga kjo parti pas rezultateve.
Kjo parti ka arritur të fitojë nëntë nga dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë, ndërsa Kllokoti është e vetmja komunë që do të zhvillohet raundi i dytë i votimeve.
Në shumicën e komunave me shumicë serbe ka rënie të mbështetjes për Listën serbe, por kjo gjë vërehet më tepër në Mitrovicën e veriut, ku Lista serbe ka marrë 60 për qind të votave në zgjedhjet e së dielës, ndërsa në vitin 2021 kishte marrë 91 për qind të votave.
Fitorja e Listës serbe ‘presion’ për formimin e asociacionit?
Analisti politik Nexhat Haziri, thotë se ka qenë rezultat i pritshëm.
Sipas tij, Vuçiq do ta përdor këtë si triumf dhe një lloj presioni për procesin e formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Fitorja e Listës Serbe në 9 komunat me shumicë serbe dhe në një është në balotazh, është rezultat e pritshëm, për arsye të ndikimit që ka ky subjekt në komunitetin e serbëve në Kosovë, dhe shto këtu edhe ndikimin e Bogradit zyrtar, pra është rezultat i pritshëm. Dhe natyrisht se kjo fitore e Listës Serbe, do të thotë edhe ruajta e ndikimit të Serbisë te serbët në Kosovë, dhe ky rezultat i Listës Serbe në zgjedhjet lokale, natyrisht se presidenti i Serbisë Vuçiq do ta përdor edhe si trumf të tij edhe për opinionin e brendshëm në Serbi, por edhe si një lloj presioni në procesin e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, dhe po ashtu do të jetë një kalkulim që Serbia përmes Listës Serbe ta ketë një pozicion më të fortë në këtë proces”, deklaron Haziri.
Nëse krahasojmë rezultatet e zgjedhjeve të 12 tetorit 2025 dhe rezultatet e zgjedhjeve lokale të vitit 2021, Lista serbe ka shënuar rënie në shumicën e komunave me shumicë serbe.
Leposaviq: Rreth 70% më 2025; 97% më 2021
Zubin Potok: Rreth 70% më 2025; 83% më 2021
Graçanicë: 62% më 2025; 77% më 2021
Ranillug: 71% më 2025; 100% më 2021
Novobërdë: 63% më 2025; 62% 2021
Shtërpcë: 59% më 2025; 59% më 2021
Partesh: 89% më 2025; 75% më 2021
Në Graçanicë, për herë të parë mori pjesë edhe një kandidat nga komuniteti shqiptar, i mbështetur nga të gjitha partitë shqiptare – gjë që ndikoi pjesërisht në rezultatin e Listës Serbe.
Rënia e Listës serbe dhe reagimi i Vuçiqit për ‘fitoren’
Duke komentuar rezultatin dhe rënien e Listës serbe, politologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, thotë se mund të ndikojnë disa faktorë në këtë rënie.

Sipas tij, monopoli i Listës serbe është zbehur disi, por pozicioni i saj qendror vazhdon të mbetet.
“Pjesëmarrja në zonat serbe ishte krahasimisht më e lartë se në Kosovë në përgjithësi, megjithatë ka një rënie të qartë nga viti 2021. Kjo i referohet si numrit të votuesve ashtu edhe pjesës së votës së LS-së. Disa faktorë mund ta shpjegojnë këtë. Së pari, numri i serbëve që jetojnë në ato komuna dhe që janë të interesuar për procesin politik ka rënë. Së dyti, pati më shumë konkurrencë mes partive dhe listave qytetare serbe, gjë që shkaktoi shpërndarje të votave. Gjithashtu, ka ndryshime demografike në komunat me shumicë serbe, ku është rritur përqindja e komuniteteve shqiptare, boshnjake dhe rome. Ata votuan për partitë e tyre, duke ulur kështu përqindjen e votave për partitë serbe. Këta faktorë e ulën marzhin e LS-së. Megjithatë, ndikimi i partisë mbetet i pakontestueshëm mes serbëve për shkak të mbështetjes së qëndrueshme nga Beogradi, infrastrukturës dhe kapacitetit organizativ të saj, dhe aftësisë për të ofruar përfitime praktike për votuesit falë Beogradit (ndihmë financiare dhe punësim). Monopoli i LS-së është zbehur disi, por pozicioni i saj qendror brenda skenës politike serbe në Kosovë vazhdon të mbetet”, deklaron Gogiq
Gogiq, në një prononcim thotë se votuesit kanë votuar Listën serbe në mënyrë që të “normalizohet” situata.
Sipas tij, votuesit priren të zgjedhin rrugën me më pak rezistencë dhe Lista serbe është e vetmja parti serbe e mbështetur nga Beogradi dhe shumica e serbëve nuk duan një konflikt me Beogradin.
“Rezultatet e zgjedhjeve tregojnë se Lista Serbe (LS) po rivendos dominimin në zonat me shumicë serbe. Ajo po rikthen pushtetin në katër komunat veriore dhe po ruan kontrollin në gjashtë komunat në jug të Ibrit. Kjo pasqyron një njohje, si nga LS ashtu edhe nga shumë serbë të zakonshëm, se tërheqja nga institucionet e Kosovës në nëntor 2022 dhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale të prillit 2023 ishin gabime të kushtueshme. Votuesit donin të ktheheshin në institucione dhe të “normalizonin” situatën lokale në terren.
Një pyetje e drejtë është pse ata ende votuan për LS, duke qenë se LS ishte ajo që avokoi për bojkotin. Përgjigjja është pragmatike. Votuesit priren të zgjedhin rrugën me më pak rezistencë. LS është e vetmja parti serbe e mbështetur hapur nga Beogradi, dhe shumica e serbëve nuk duan një konflikt me Beogradin sepse kjo ndikon në punësim, shërbime dhe lidhjet me Serbinë. Këtë herë pati më shumë pluralizëm, me disa iniciativa serbe që morën pjesë, por ato ishin të fragmentuara, pa burime të mjaftueshme, dhe nuk mund të konkurronin me kapacitetin organizativ të LS-së apo aftësinë e saj për të premtuar ndihmë dhe punësim përmes Beogradit”, shprehet Gogiq.
Por, lajm të mirë këtë rënie e konsideron analisti Nexhat Haziri, i cili madje e quan si shpresë se brenda komunitetit serb mund të ketë pluralizëm politik.
“Rënia në 60% e Listës Serben ë krahasim kur ky subject politik kishte 90 % të votës së serbëve në Kosovës, është një lajm i mirë që jep shpresë se edhe brenda komuniteti serb do të mund të ketë një pluralizëm politik që është i shëndetshëm për demokracinë por edhe për vet komunitetin serb në Kosovë”, shprehet Haziri.
Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte i pari që shpalli fitoren e Listës Serbe në nëntë komunat me shumicë serbe, duke vënë në dukje se komuna e Kllokotit shkon në rund të dytë.
Në një bisedë telefonike të dielën me zyrtarë të kësaj partie, e cila u formua me mbështetjen e tij, Vuçiq tha: “Ia dolëm, ata nuk mund të heqin emrin dhe mbiemrin serb”.
Më pas, në një konferencë për media, Lista Serbe e falënderoi Vuçiqin për mbështetjen e dhënë.
Politologu serb, thotë se në planin e brendshëm Vuçiq është i lëkundur, por fitorja e Listës serbe, bën që ai t’ia ofrojë opinionit të brendhsëm dhe një narrativë se “Serbia fitoi” në zgjedhjet lokale në Kosovë.
“Për Presidentin Vuçiq, kjo është një shtysë politike shumë e nevojshme. Në planin e brendshëm, ai është i lëkundur pasi përballet me protesta të zgjatura dhe humbje legjitimiteti. Në planin ndërkombëtar, rruga evropiane e Serbisë ka ngecur, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione që ndikojnë në NIS (Industria e Naftës e Serbisë), dhe Moska nuk ka treguar asnjë gatishmëri për t’u tërhequr nga pronësia. Pra, as Uashingtoni dhe as Moska nuk kanë treguar shumë konsideratë ndaj Serbisë. Në këtë kontekst, fitorja bindëse e LS-së i ofron Vuçiqit një “fitore” konkrete për t’ia paraqitur opinionit të brendshëm dhe një narrativë se “Serbia fitoi” në zgjedhjet lokale në Kosovë. Prandaj, ai deshi të ishte i pari që shpalli rezultatet (në të njëjtën mënyrë siç bëri pas zgjedhjeve parlamentare) dhe ta festonte publikisht”, përfundon politologu.
Të tjera
Goli i dhjetë i Mbappes në La Liga e rikthen Realin në vendin e parë në tabelë
Zgjedhjet lokale në RMV: Ku fituan bindshëm VLEN e AKI dhe ku po vazhdon ende gara – çfarë dihet deri tash
Atiq: Lista Serbe i fitoi zgjedhjet me kërcënime ndaj qytetarëve