Tri porositë e Von der Leyen për Kosovën – mesazh i qartë për reforma, stabilitet dhe njohje “de facto” nga Serbia

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka qëndruar të mërkurën në Kosovë, me që rast është takuar me krerët e lartë të shtetit.

Von der Leyen fillimisht u takua me presidenten, Vjosa Osmani, dhe kjo e fundit pas takimit ka thënë se është diskutuar për zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, për rëndësinë e heqjes së masave të vendosura ndaj Kosovës dhe për hapat e ardhshëm në procesin e integrimit evropian.

“Kosova është gati të ecë përpara me përkushtim, me reforma të suksesshme dhe me besim të palëkundur në të ardhmen evropiane.

Mbështetja e Komisionit Evropian për Kosovën në këtë proces mbetet thelbësore”, shkroi Osmani.

“Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” pata nderin ta mirëpres znj. Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian.Vizita e saj në Prishtinë vjen në një moment kur Kosova po konsolidon reformat, forcon sundimin e ligjit dhe thellon përafrimin me standardet e BE-së. Si partnere e besueshme e Bashkimit Evropian, po punojmë ngushtë me Komisionin Evropian për zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, programit IPA III dhe hapat e qasjes graduale në tregun e përbashkët, me rezultate të matshme për qytetarët tanë, duke afruar edhe më tej integrimin tonë evropian”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.

Von der Leyen u takua edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe në fund ka lënë edhe tri porosi për Kosovën. Përmes një postimi në platformën X (ish-Twitter), gjatë vizitës së saj në Prishtinë, ajo ka theksuar përkushtimin e Bashkimit Evropian për një të ardhme të përbashkët me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se Kosova duhet të vazhdojë rrugën e reformave.

“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj një të ardhmeje ku të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor do të jenë pjesë e Bashkimit tonë,” ka shkruar Von der Leyen.

Presidentja e Komisionit Evropian ka shtuar se për këtë qëllim, është thelbësore që Kosova të vazhdojë ndërtimin e institucioneve të forta dhe funksionale, të ulë tensionet në vend dhe të përmbyllë hapat e nevojshëm për procesin e integrimit evropian.

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtarë kanë folur rreth porosive të saja, duke thënë se kanë mesazhe thelbësore dhe Kosova duhet të ndryshojë qasje nga aktive në politikë proaktive.

Thelbi i mesazheve

Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mirsad Voca, thotë se deklarata e Von der Leyen përmban në thelb tri mesazhe thelbësore.

Image

Mirsad Voca

“Deklarata e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përmban tri mesazhe thelbësore që ne fakt përmbledhin gjithë pritjet e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës: forcimin e institucioneve, uljen e tensioneve dhe përshpejtimin e integrimit evropian. Këto nuk janë vetëm porosi formale por sinjale të qarta që BE-ja kërkon më shumë stabilitet institucional dhe politik për të garantuar një proces të qëndrueshëm integrues. Në thelb, pengesa kryesore për uljen e tensioneve në Kosovë nuk është mungesa e vullnetit të brendshëm, por ndërhyrjet e jashtme, kryesisht nga Serbia, e cila ende mbetet agresive ndaj fqinjëve te saj dhe vazhdon të instrumentalizojë komunitetin serb në veri për qëllime politike. Kjo krijon një klimë pasigurie dhe ndarje, e cila më pas shfrytëzohet me apo pa koordinim më Serbinë nga qarqe të caktuara brenda vendit për përfitime politike të brendshme. Prandaj, tensionet nuk janë thjesht ndëretnike por ato janë edhe politike dhe gjeopolitike. Një aspekt që shpesh neglizhohet është fakti se destabiliteti nuk vjen vetëm nga jashtë, por edhe nga brenda. Rastet e fundit këtë vit të arrestimit të disa agjentëve që punonin për shërbimet serbe shumica shqiptarë tregon qartë se ndikimi i Beogradit është më i thellë dhe më i sofistikuar sesa mendohej. Kjo kërkon një qasje shumë më serioze ndaj sigurisë kombëtare, një kontroll më rigoroz institucional dhe një bashkërendim më të ngushtë ndërmjet institucioneve të sigurisë dhe diplomacisë”, deklaron Voca.

Porositë e Von der Leyen, sipas Vocës, mund të lexohen në dy mënyra.

Ai shton se në këtë fazë Kosova duhet të ndryshojë qasjen nga një politikë reactive në një politikë proaktive.

“Porositë e von der Leyen mund te lexohen në dy mënyra: si një mesazh inkurajues për Kosovën që të vazhdojë në rrugën e saj të reformave, por edhe si një paralajmërim i butë që BE-ja po humb durimin me mungesën e përparimit në dialog dhe me përplasjet e brendshme politike. BE-ja kërkon nga Kosova që te shfaqë pjekuri shtetërore, të përqendrohet në ndërtimin e konsensusit të brendshëm dhe të shmangë retorikën që e thellon ndarjen shoqërore. Në këtë fazë, Kosova duhet të ndryshojë qasjen nga një politikë reaktive në një politikë proaktive ndaj integrimit evropian, pra të mos presë që BE-ja t’i ofrojë sinjale, por vetë të krijojë iniciativa që tregojnë gatishmëri, seriozitet dhe stabilitet. Kjo nënkupton forcim të institucioneve përmes profesionalizmit, dialog politik të brendshëm më të gjerë dhe një strategji të qartë për forcimin e besimit me komunitetet joshumicë. Këshillat e von der Leyen janë një ftesë që Kosova ta afirmojë veten si një shtet që nuk pret integrimin, por e fiton atë përmes stabilitetit, bashkëpunimit dhe vizionit të qartë europian. Stabiliteti nuk është vetëm politik apo institucional, ai mbetet poashtu edhe moral, sepse kërkon që shteti të ruajë integritetin e vet nga çdo formë ndikimi apo infilitrimi që minon sovranitetin dhe bashkëjetesën qytetare”, shprehet doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Vizita e Von der Leyen në Kosovë është pjesë e turneut të saj në vendet e Ballkanit Perëndimor, ajo qëndroi në Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë dhe në Serbi. Ndërsa, vizitën e përmbylli në Shkup, të mërkurën.

Mesazhe inkurajuese dhe paralajmëruese

Analisti Eduard Gashi, ka komentuar, porositë e presidentes së KE-së, duke thënë se nuk janë risi, por rikujtesë strategjike.

Image

Eduard Gashi

“Porositë e Presidentes von der Leyen – ndërtimi i institucioneve të forta, ulja e tensioneve dhe përmbyllja e hapave për integrimin – janë themeli i agjendës së BE-së për zgjerimin.

1. Komentimi i Porosive

Këto tri porosi nuk janë risi, por një rikujtesë strategjike e detyrave të shtëpisë së Kosovës, të cilat përkojnë me prioritetet e veta:

• Ndërtimi i Institucioneve të Forta dhe Funksionale: Kjo thekson nevojën për sundim të ligjit, luftë efektive kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe një administratë publike meritokratike. Për Kosovën, kjo është thelbësore për të tërhequr investime dhe për të rritur besimin e qytetarëve, duke e forcuar shtetësinë e saj nga brenda.

• Ulja e Tensioneve në Vend: Për BE-në, stabiliteti rajonal dhe i brendshëm është parakusht absolut. Kjo porosi adreson sidomos tensionet me Serbinë, por edhe ato të brendshme politike dhe ndëretnike. Për Kosovën, ulja e tensioneve është dëshmi e pjekurisë politike dhe e aftësisë për të menaxhuar diversitetin, një kërkesë kyçe për çdo anëtar të BE-së.

• Përmbyllja e Hapeve për Integrimin Evropian: Kjo i referohet zbatimit të reformave nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) dhe harmonizimit të legjislacionit. Përmbushja e këtyre hapave e shndërron Kosovën në një partner të besueshëm dhe e afron me statusin e vendit kandidat”, shprehet Gashi.

Ai ka treguar se çfarë pengon realisht në uljen e tensioneve, gjersa shton, se pengesa kryesore është qasja e Serbisë.

Pengesat reale shkojnë përtej vullnetit të thjeshtë politik dhe janë të rrënjosura në faktorë të brendshëm dhe rajonalë:

• Ndikimi i jashtëm dhe mungesa e reciprocitetit (Serbia): Pengesa kryesore është qasja e Serbisë, e cila, në vend të uljes së tensioneve, shpesh i nxit ato duke shfrytëzuar komunitetin serb në Kosovë si mjet politik. Në favor të Kosovës, qeveria kosovare ka argumentin e sovranitetit dhe ligjshmërisë, duke kërkuar trajtim të barabartë dhe reciprocitet, duke zbatuar ligjin në të gjithë territorin, gjë që nuk duhet të interpretohet si nxitje tensioni, por si normalitet shtetëror.

• Narrativa e brendshme dhe polarizimi politik: Polarizimi i fortë mes partive në Kosovë mund ta pengojë konsensusin e nevojshëm për çështjet madhore (p.sh., dialogu, reformat e mëdha), duke krijuar imazh të paqëndrueshmërisë.

• Mosnjohja nga 5 shtete të BE-së: Kjo mbetet një pengesë strukturore, duke e kufizuar fushëveprimin e Kosovës në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe duke e bërë më të ndërlikuar avancimin e plotë në procesin e integrimit”, pohon analisti.

Porositë e Von der Leyen, sipas tij, janë inkurajuse dhe paralajmëruese.

“Këto porosi duhet të lexohen si një mesazh i kombinuar: “Kushtëzues dhe Inkurajues” (Conditional and Encouraging).

• Inkurajues: Fakti që von der Leyen adreson publikisht këto kërkesa është konfirmim se porta e BE-së mbetet e hapur dhe se Kosova vazhdon të jetë pjesë e vizionit të zgjerimit të BE-së. Theksi te “përmbyllja e hapave për integrim” lë të kuptohet se objektivat janë të arritshme.

• Paralajmërues (Kushtëzues): Mesazhi shërben si një “kartë e verdhë” se ecuria e deritanishme (veçanërisht në uljen e tensioneve dhe luftën kundër korrupsionit) nuk është e mjaftueshme. BE-ja po thekson se avancimi i mëtutjeshëm varet drejtpërdrejt nga performanca e Kosovës në këto tri fusha. Në favor të Kosovës, ky kushtëzim mund të përdoret si levë për të përshpejtuar reformat e brendshme, duke e argumentuar nevojën për veprime të shpejta me kërkesat e BE-së”, thekson Gashi.

Ai kërkon që Kosova të ketë qasje më proactive.

Për t’i përmbushur këto kërkesa, qasja e Kosovës duhet të jetë më strategjike dhe proaktive:

1. Konsolidimi i Legjitimitetit Shtetëror (Institucionet):

• Ndryshimi i Qasjes: Nga reagimi ndaj krizave te parandalimi. Fokus i palëkundur te reforma në drejtësi, duke e bërë të padiskutueshme funksionalitetin e institucioneve të pavarura.

• Veprimi Pro-Kosovë: Përdorimi i këtij presioni nga BE-ja për të finalizuar reformën e vetingut/gjyqësorit, duke dëshmuar se Kosova e merr seriozisht luftën kundër korrupsionit.

2. Menaxhimi Strategjik i Tensioneve (Ulja e Tensioneve):

• Ndryshimi i Qasjes: Kalimi nga mbrojtja e thjeshtë e sovranitetit te dëshmia e fleksibilitetit konstruktiv, pa komprometuar ligjshmërinë. P.sh., shfaqja e gatishmërisë për zbatim të shpejtë të marrëveshjeve të arritura, duke vënë theksin te mos-zbatimi nga pala tjetër.

• Veprimi Pro-Kosovë: Theksimi i faktit se ulja e tensioneve bëhet duke garantuar të drejtat e të gjithë qytetarëve, duke përfshirë pakicat, por gjithmonë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe jo nën diktat të palës tjetër. Kosova duhet të paraqesë propozime konkrete, proaktive, për normalizim, duke lënë Serbinë në pozicionin reagues.

3. Aktivizmi Diplomatik (Integrimi Evropian):

• Ndryshimi i Qasjes: Përveç përmbushjes teknike të MSA-së, duhet një fushatë intensive lobimi te ato 5 shtete mosnjohëse të BE-së, duke shfrytëzuar reformat e brendshme si argument për pjekurinë shtetërore.

• Veprimi Pro-Kosovë: Lidhur me dialogun, qasja duhet të jetë: Kosova është e gatshme për një marrëveshje përfundimtare që çon në njohje reciproke. Çdo hap i Kosovës në dialog duhet të shitet në Bruksel dhe Uashington si dëshmi e përkushtimit të saj, duke e vënë fokusin e BE-së te presioni ndaj palës tjetër për njohjen përfundimtare.

Në përmbledhje, porositë e BE-së janë një hartë rrugore e qartë. Për Kosovën, sfida është t’i përdorë ato jo thjesht si kërkesa të imponuara, por si platformë për të riafirmuar sovranitetin dhe legjitimitetin e saj evropian në skenën ndërkombëtare. Kosova duhet të shfaqë gatishmëri politike që kalon pritshmëritë, duke e shndërruar presionin e BE-së në katalizator për transformim të brendshëm dhe njohje ndërkombëtare”, përfundon Gashi.