Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se dronët rusë sulmuan qytetin e tij të lindjes në Ukrainë në prag të takimit të tij me presidentin amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë.
Zelensky tha se sulmi në Krivij Ri, në juglindje të Ukrainës, në orët e vona të 16 tetorit, ishte një shembull se si Rusia “ende po e terrorizon Ukrainën”, dhe shtoi se kishte “dhjetëra dronë të tjerë sulmues në qiellin tonë” dhe po ashtu ishin parë edhe raketa.
“Në fakt, në javët e fundit nuk ka kaluar asnjë natë pa sulme ruse në Ukrainë” dhe shumica kishin për shënjestër infrastrukturën, shkroi Zelensky në X pasi arriti në Uashington për takimin me Trumpin.
Zelensky tha se Rusia do të detyrohet ta ndalë luftën vetëm kur të mos jetë në gjendje ta vazhdojë atë dhe mënyra se si Rusia mund të shfaqë gatishmërinë e vërtetë për paqe nuk qëndron te fjalët, por te ndalja e sulmeve dhe vrasjeve.
“Prandaj, çdo sistem i mbrojtjes ajrore për Ukrainë ka rëndësi. Çdo vendim që mund të forcojë ne, e sjellë më afër përfundimin e luftës. Siguria mund të garantohet nëse gjithçka për të cilën ne jemi pajtuar, përfshirë këtu në Uashington, zbatohet”, tha ai.
Bisedimet mes Trumpit dhe Zelenskyt pritet të përfshijnë diskutime për mbrojtjet ajrore të Ukrainës dhe kapacitetet për sulme me rreze të gjatë veprimi, përfshirë mundësinë që SHBA-ja t’i japë Ukrainës raketa Tomahawk.
Trump njoftoi më 16 tetor se ai dhe presidenti rus, Vladimir Putin, zhvilluan një bisedë telefonike dhe u pajtuan që të takohen në Budapest.
Trump shkroi në rrjetet sociale se do të ketë një takim të nivelit të lartë të këshilltarëve javën e ardhshme, para se ai dhe Putini të takohen “për të parë nëse mund ta përfundojmë këtë luftë të ‘palavdishme’ mes Rusisë dhe Ukrainës”.
Delegacioni amerikan do të udhëhiqet nga sekretari i Shtetit, Marco Rubio, tha ai. Lokacioni i takimit të këshilltarëve ende nuk është përcaktuar.
Të tjera
Meshkujt që nuk mund t’i bëjnë 10 pompa janë më të rrezikuar nga sëmundjet e zemrës
Krimi dhe politika: Zbulime nga vëllai i Dajakut për strukturat e financuara nga fondi i 3% të Bukoshit
Ushqimet që asesi nuk duhet t’i lani para gatimit