Vizita e Presidentes së KE’së në rajon, në faqen e BE-së nuk figuron fotografia e takimit me Kurtin

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, këtë javë përfundoi turneun e saj vjetor në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në këtë vizitë, von der Leyen takoi krerët e vendeve e shoqëri civile dhe solli me vete riafrimimin për mbështetjen e Unionit për vendet e rajonit.

Një përmbledhje të vizitës së saj me fotografi e bëri Komisioni Europian, drejtoria për Zgjerimin e BE-së dhe Fqinjësisë Lindore, në Facebook.

“Gjatë turneut të saj në Ballkanin Perëndimor këtë javë, Presidentja von der Leyen riafirmoi mbështetjen europiane për rrugën e rajonit drejt BE-së. Në njohje të progresit të tyre në reforma, Presidentja njoftoi lëshimin e fondeve për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor”, thuhet krahas fotografive.

Në këtë postim nuk figuroi fotografia e von der Leyen me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.

Por, ndër to ishte ajo me presidenten Vjosa Osmani.

Von der Leyen e takoi Kurtin në një sallë të Kuvendit dhe jo në zyrën e tij në Qeveri për shkak të një vendimi të BE-së që zyrtarët e saj të mos e takojnë Kurtin në zyrën e tij derisa Kosova të ketë institucionet e reja me mandat të plotë qeverisës të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit./Express/