Analistja politike, Shqipe Pantina, procesin e zgjedhjeve e sheh si vazhdimësi, jo si revolucion. Votuesi, sipas saj, është bërë më racional, që voton bazuar në punë.
“Fillimisht ajo që duhet theksuar është që procesi ka shkuar mirë dhe kjo është një fitore për të gjithë qytetarët e Kosovës. Sa i përket rezultatit të zgjedhjeve, s’kam parë ndryshime të mëdha nga zgjedhjet e vitit 2021, andaj s’mund të them se ka pasur fitues absolut apo humbës absolut. Në disa parti ka pasur rritje të votës, ndërsa në të tjera, të një partie tjetër. Megjithatë, një ngritje të lehtë në nivelin lokal për kryetar të komunave ka shënuar Lëvizja Vetëvendosje, që po etablohet si një parti stabile dhe po përafrohet rezultati i zgjedhjeve lokale me ato nacionale”, ka thënë ajo.
Ndërsa, për analisten Pantina, ka pasur befasi në disa komuna, teksa përmend Fushë Kosovën, Kamenicën e Podujevën.
“Disa komunave kanë qenë befasi, disa komuna kanë befasuar. Për mua befasia më e madhe ka qenë Fushë Kosova, kam pritur që Besnik Osmani të fitojë pa balotazh, po ashtu befasi ka qenë fitorja e VV-së në Kamenicë dhe në Podujevë, pa balotazh. Në komunat tjera pak a shumë është rezultat i pritur”, ka theksuar ajo.
Sa i përket balotazhit, Pantina pret rezultat të ngjashëm me atë të vitit 2021.
“Ngjashëm ka qenë edhe në zgjedhjet e vitit 2021 dhe unë pres po ashtu që të jetë një rezultat i ngjashëm i vitit 2021, pra pak a shumë të mbeten në qeverisje partitë që kanë qenë edhe në mandatin e kaluar, e kam fjalën për kryetarët e komunave. Kështu që nuk pres ndryshime të mëdha nga zgjedhjet e vitit 2021”, ka shtuar analistja.
Ajo jep dhe parashikime për fitore në balotazh në disa komuna.
“Një rast i tillë është ta zëmë Peja, ku unë prapë besoj se Gazmend Muhaxheri do ta fitojë garën në balotazh. Komunat tjera janë ata që kanë qeverisur që 2-3 mandate, si në Lipjan Imri Ahmeti, në Ferizaj Agim Aliu. Tashmë votuesi në zgjedhje lokale është shumë më racional dhe e vlerëson punën e kryetarëve nëse kanë qeverisur shumë dhe nuk ka votë ndëshkuese”, ka theksuar ajo.
“Edhe në Gjakovë do të konfirmohet Ardian Gjini. Ajo ku mund të presim ndryshime është Suhareka sepse aty ka një garë mes LDK-së dhe AAK-së dhe kandidati i LDK-së ka performuar shumë mirë”.
“Gara është e ashpër, megjithatë jam e bindur se do të fitojë Përparim Rama”, ka deklaruar Shqipe Pantina.
Të tjera
Gënjeshtrat që gratë e martuara ua thonë burrave
5 shenjat e horoskopit me karakter të fortë
Mungesa adekuate e gjumit sjell e rritë rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe diabetit