Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka reaguar përmes një komunikate për media, duke theksuar se respekton të drejtën e fermerëve për të protestuar dhe e kupton shqetësimin e tyre lidhur me ndërprerjen e grumbullimit të qumështit dhe uljen e çmimit.
Në komunikatë thuhet se fermerët nuk janë objekt i procedurave administrative që po zhvillohen, të cilat, sipas Ministrisë, kanë të bëjnë ekskluzivisht me respektimin e detyrimeve ligjore nga operatorët e biznesit me ushqim dhe nuk cenojnë punën e fermerëve.
Ministria thekson se është duke bashkëpunuar me institucionet përgjegjëse dhe përfaqësuesit e sektorit për të siguruar vazhdimin e grumbullimit të qumështit të freskët dhe për të shmangur dëmet ekonomike për fermerët.
Sipas komunikatës, masat e ndërmarra në sektorin e qumështit nuk synojnë industrinë e përpunimit, por forcimin e sigurisë ushqimore, mbrojtjen e konsumatorit dhe krijimin e kushteve të barabarta në treg.
Ministria shton se respektimi i standardeve të sigurisë ushqimore është detyrim ligjor dhe domosdoshmëri ekonomike, duke theksuar rëndësinë e cilësisë së produkteve, gjurmueshmërisë së lëndëve të para, deklarimit të saktë dhe etiketimit transparent.
Po ashtu, bëhet e ditur se janë forcuar kontrollet në kufi dhe treg, janë intensifikuar analizat laboratorike dhe është vendosur raportimi i detyrueshëm për lëndët e para në sektorin e qumështit, masa që zbatohen njësoj për të gjithë operatorët.
Në komunikatë theksohet se fermerët duhet të sigurohen që qumështi i tyre të vlerësohet drejt dhe të mos zëvendësohet në mënyrë të padrejtë, ndërsa konsumatorët kanë të drejtë për informim të saktë mbi produktet që blejnë.
Ministria deklaron se mbetet e përkushtuar për zbatimin e ligjit, mbrojtjen e interesit publik dhe mbështetjen e një sektori të qëndrueshëm, transparent dhe konkurrues të qumështit, duke u bërë thirrje operatorëve që të respektojnë detyrimet ligjore dhe të bashkëpunojnë me institucionet përkatëse.



Të tjera
Reagon AUV: Analizat e qumështores “Vita” të marra në korrik janë ende në proces
Rezultatet e testit të arritshmërisë, nxënësit dhanë më shumë rezultat në anglisht se sa në shqip
Ushqimet që duhet të konsumoni për të jetuar gjatë