Alpinisti 79-vjeçar i zhdukur prej ditësh gjendet i vdekur në Zvicër

Mësohet se një alpinist 79-vjeçar është gjetur i vdekur të premten pasdite mbi Alp Soll, në masivin malor të Alpstein, pas një operacioni kërkimi në shkallë të gjerë, kanë bërë të ditur autoritetet zvicerane.

Burri ishte raportuar i zhdukur në mëngjesin e së premtes pranë Policisë Kantonale të Appenzell Innerrhoden, pasi kishte dalë për një shëtitje që të mërkurën dhe nuk ishte kthyer më.

Trupi i pajetë u gjet nga ekipet e shpëtimit malor gjatë kërkimeve intensive në terren të vështirë. Gjetjet fillestare sugjerojnë se shkaku i vdekjes është një aksident, megjithëse autoritetet janë ende duke hetuar rrethanat e sakta të ngjarjes.

Policia ka shprehur ngushëllimet për familjen e viktimës dhe ka falënderuar të gjitha njësitë e angazhuara në operacionin e kërkimit dhe shpëtimit. /Albinfo.ch