Sot në Maqedoninë e Veriut po mbahen zgjedhjet e teta lokale që nga shpallja e pavarësisë së vendit. Procesi zgjedhor ka filluar në ora 07:00 dhe po zhvillohet në 80 komuna, përfshirë qytetin e Shkupit, i cili ka status të veçantë të administrimit lokal
Në garë marrin pjesë 22 parti politike, 19 koalicione dhe 119 kandidatë të pavarur. Qytetarët do të ushtrojnë të drejtën e votës në gjithsej 3.480 vendvotime në të gjithë territorin e vendit. Lista e votuesve përfshin 1,832,415 banorë.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se të shtunën është shpërndarë i gjithë materiali zgjedhor, ndërsa votimi ka nisur një ditë më herët për disa kategori qytetarësh.
“Një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve kanë votuar personat e sëmurë, të paaftë dhe ata që kanë dorëzuar paraprakisht kërkesë për votim në shtëpi, si dhe personat që ndodhen në vuajtje të dënimit me burg,” deklaroi Nazmi Dauti nga Komisioni Komunal Zgjedhor.
Qytetarët e intervistuar nga RTK shprehën pritjet e tyre që kryetarët e rinj të përmbushin premtimet e dhëna gjatë fushatës.
“Ai që zgjidhet, duhet të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve të komunës, pa dallim partie,” u shpreh një banor i Tetovës.
“Do të dëshiroja që të investohet më shumë në arsim, të rinovohen shkollat. Aty fillon jeta — fëmijët dhe nipërit tanë duhet të kenë kushte të sigurta për të mësuar,” tha një tjetër qytetar.
Fushata zgjedhore përfundoi të premten në mesnatë, me hyrjen në fuqi të heshtjes zgjedhore. Deri në atë moment, partitë politike zhvilluan takimet e fundit me elektoratin e tyre nëpër komuna.
Procesi i sotëm zgjedhor po monitorohet nga 1.451 vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët pritet të raportojnë mbi ecurinë dhe rregullsinë e votimeve.
Të tjera
Meshkujt që nuk mund t’i bëjnë 10 pompa janë më të rrezikuar nga sëmundjet e zemrës
Krimi dhe politika: Zbulime nga vëllai i Dajakut për strukturat e financuara nga fondi i 3% të Bukoshit
Ushqimet që asesi nuk duhet t’i lani para gatimit