Kosova i drejtohet BE-së: “Hiqni sanksionet, nuk meritojmë të ndëshkohemi”

Kosova tash e dy vite, padrejtësisht vazhdon të jetë nën sanksione nga Bashkimi Evropian.

BE-ja e ndëshkoi Kosovën në qershor të vitit 2023, për shkak të, siç vlerësoi, rolit të Qeverisë së Kosovës në nxitjen e tensioneve etnike në veri të vendit – zonë e banuar me shumicë serbe.

Në maj të këtij viti, kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas njoftoi në vizitën e saj të parë në Kosovë se kishte filluar heqja graduale e masave.

Ajo nuk kishte shpjeguar asokohe se çfarë masash mund të jenë hequr, por u mësua se masat që janë hequr kanë të bëjnë me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA), paktit të parë kontraktual ndërmjet Kosovës dhe bllokut evropian, dhe Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

“Përtej ndikimit të tyre financiar, këto masa kanë dekurajuar përpjekjet për reforma, kanë kufizuar punën e shoqërisë civile dhe kanë zvogëluar ndihmën në sundim të ligjit, shëndetësi dhe arsim. Kjo situatë vazhdon të pengojë integrimin evropian të Kosovës, i cili mbetet vendi i vetëm në kontinent me orientim të qartë drejt BE-së që ende nuk ka marrë statusin e kandidatit”, thuhet në letër.

Kujtojmë se, këto masa ndëshkuese i kanë kushtuar Kosovës rreth 615 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra në afat të pacaktuar, ndërsa 7.1 milionë euro janë humbur pasi janë tejkaluar afatet e lejuara, sipas një raporti nga Instituti për Studime të Avancuara – GAP.

Udhëheqësit e Kosovës i kanë bërë vazhdimisht thirrje BE-së t’ia heqë masat vendit të tyre, përfshirë gjatë vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Prishtinë ditë më parë.

Së pari, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mirsad Voca u shpreh se e ka të vështirë ta kuptojë këtë qasje të BE-së ndaj Kosovës dhe masat e vendosura ndaj saj.

Voca u shpreh se Kosova do duhej të mbështetej për vendimet dhe shtrirjen e ligjit në veri të saj, e jo të ndëshkohet.

Mirsad Voca

“Është vështirë të kuptohet se si Bashkimi Evropian e ka analizuar dinamikën gjeopolitike ne Ballkanin Perëndimor, kur në vend që të mbështesë përpjekjet për sundimin e ligjit dhe konsolidimin institucional, ka zgjedhur të mbajë në fuqi masa ndëshkuese ndaj Kosovës, shtetit që po zbaton pikërisht ato parime që BE vetë i ka kërkuar.

Kosova po shtrin rendin dhe ligjin në territorin e vet, po ndjek strukturat kriminale dhe po ruan integritetin e sovranitetit të saj, veprime që në çdo sistem demokratik do te konsideroheshin shembull për t’u përkrahur, jo për t’u ndëshkuar”, deklaroi ai.

Po ashtu, Voca kritikoi BE-në për qasjen e butë ndaj Serbisë, madje tha se këtë e bën për shkak të frikës që mund ta humbë ndikimin në Beograd.

Mirëpo, ai potencoi se kjo qasje vetëm sa e rrit padrejtësinë dhe tensionin në rajonin e Ballkanit.

Ndër të tjera, shtoi se nëse BE dëshiron stabilitet dhe integrim të shteteve të Ballkanit, duhet t’i heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës dhe të ketë qasje të barabartë me të gjitha shtetet karshi politikave të tyre.

“Nëse BE dëshiron realisht stabilitet në Ballkan, ajo duhet të heqë menjëherë masat ndaj Kosovës dhe të fillojë të trajtojë shkakun e vërtetë të destabilitetit, politikën hegjemoniste të Serbisë. Sepse pa drejtësi, pa barazi në trajtim dhe pa kurajë për të vepruar ndaj atyre që cenojnë paqen, nuk mund të ketë as stabilitet të qëndrueshëm e as integrim të vërtetë evropian”, përfundoi Mirsad Voca.

Ukshini: Kosova është tashmë e ndëshkuar në mënyrë disproporcionale

Kurse, ish-ambasadori Sylë Ukshini u shpreh se tani më është koha që të largohen sanksionet ndaj Kosovës.

Image

Sylë Ukshini

Ai u shpreh se situate politike ka ndryshuar shumë dhe do ishte e padrejtë të vazhdonin edhe më tej.

“Mendoj se po, është koha që masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës të hiqen plotësisht. Arsyeja kryesore është se konteksti politik që i justifikonte ato masa nuk ekziston më. Pas zgjedhjeve lokale dhe rivendosjes demokratike të kryetarëve serbë në komunat veriore, situata në terren është stabilizuar dhe institucionet e Kosovës kanë dëshmuar gatishmëri për t’u rikthyer në normalitet institucional”.

Po ashtu, Ukshini potencoi se shteti ynë është ndëshkuar padrejtësisht, derisa Serbia pavarësisht provokimeve dhe sulmeve të vazhdueshme nuk është ndëshkuar dhe as nuk është marrë ndonjë masë ndaj saj.

“Kosova është tashmë e ndëshkuar në mënyrë disproporcionale – bllokimi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës ishte një sinjal i qartë politik nga BE-ja. Mbajtja e këtyre masave, përkundër përmirësimeve të dukshme, jo vetëm që e dëmton procesin e integrimit evropian të Kosovës, por edhe e përforcon perceptimin e standardeve të dyfishta ndaj saj, sidomos në krahasim me Serbinë, e cila nuk është ndëshkuar asnjëherë për veprimet destabilizuese në veri të Kosovës apo për refuzimin e zbatimit të marrëveshjeve”, nënvizoi ai.

Tutje, ai foli edhe për efektin që do kishte heqja e sanksioneve në procesin e dialogut, e që sipas tij do e bënte më të barabartë e jo si ka qenë deri tani.

Në këtë pikë, e pa të nevojshme edhe formimin e qeverisë së re të Kosovës, e që e cila duhet të koordinohet me BE-në.

Heqja e masave do të kishte edhe efekt pozitiv në vetë procesin e dialogut të Brukselit. Një dialog i suksesshëm kërkon paritet dhe trajtim të barabartë mes palëve; mbajtja e sanksioneve e bën Kosovën më të pambrojtur dhe më pak të barabartë në tavolinë. Për këtë arsye, një qasje e re e BE-së, që synon inkurajimin e Kosovës përmes bashkëpunimit e jo penalizimit, do të ishte shumë më efektive.

Në të njëjtën kohë, edhe Qeveria e Kosovës – aktuale apo ajo që do të formohet pas zgjedhjeve – duhet të tregojë gatishmëri për komunikim transparent me BE-në, të diskutojë hapur çdo shqetësim që ka blloku evropian dhe t’i adresojë ato në mënyrë konstruktive. Mungesa e komunikimit apo qëndrimet defanzive vetëm sa e përforcojnë narrativën e kundërshtarëve”.

Ndër të tjera, Ukshini shtoi se heqja e masave ndaj Kosovës nuk është vetëm një çështje drejtësie, por edhe një domosdoshmëri strategjike për stabilitet dhe siguri në rajon.

“Në fund, duhet theksuar se pas vendimit të fundit të Uashingtonit për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën, çdo dobësim i raportit me BE-në do të mund të kapitalizohen nga autoritetet serbe, pse natyrshëm si palë kundërshtare, madje armiqësore, do ta shfrytëzojë çdo vakum diplomatik për të forcuar pozicionin e saj kundrejt Kosovës. Për këtë arsye, heqja e masave ndaj Kosovës nuk është vetëm një çështje drejtësie, por edhe një domosdoshmëri strategjike për ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe për vazhdimin e rrugës evropiane të vendit dhe mbi të gjitha për konsolidimin e suksesit të Perëndimit në Kosovë dhe në rajon, përballë përpjekjeve serbe dhe ruse për ta minuar këtë sukses.

Një hap i tillë i BE-së do të ishte edhe në frymën e porosive që i bëri publike Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas takimeve me znj. Osmane dhe z. Kurti në Prishtinë, pasi kështu do të hapej rruga që të finalizoheshin hapat e domosdoshëm për të përfituar Kosova nga Plani i Rritjes së BE-së”, përmbylli Sylë Ukshini