Publikohen shpenzimet tremujore të subjekteve politike në Kuvend

Publikohen shpenzimet tremujore të subjekteve politike në Kuvend

Në ueb faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë publikuar raportet e shpenzimeve të tremujorit të subjekteve politike të cilat janë të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës. 

 

KQZ përmes një njoftimi thotë se këto të dhëna janë publikuar me e qëllim të zbatimit të Ligjit për Financim të Subjekteve Politike,.

“Sipas këtij ligji, subjektet politike i dorëzojnë këto raporte në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) dhe të njëjtat publikohen në ueb faqen e KQZ-së dhe të subjekteve politike”, thuhet në njoftim .

Raportet tre mujore, që përfshijnë periudhën korrik – shtator 2025, janë publikuar në ueb faqen e KQZ-së.

Sipas të dhënave të publikuara, Lëvizja Vetëvendosje (LVV)  gjatë këtij tremujori ka deklaruar se ka  shpenzuar 663,459 euro . Këto shpenzime përfshijnë aktivitetet politike, funksionimin e partisë dhe shpenzime të tjera operative.

Më pas vjen Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila ka raportuar një shumë prej 220,660 euro për tremujorin e njëjtë.

Kurse Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka deklaruar se ka shpenzuar gjithsej 188,533 euro.

Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka paraqitur shpenzime në vlerë prej 40,765 euro.