Radoiçiq në qendër të polemikës: Pse Serbia nuk e dorëzon, sipas ekspertit

Përfaqësuesja e Britanisë, Jennifer MacNaughtan, gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i ka bërë thirrje Serbisë që ta dorëzojë kriminelin Milan Radoiçiq, i cili është përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë të Kosovës.

Llogaridhënia për sulmin në Banjskë dhe për sulmet ndaj KFOR-it është pritur shumë gjatë”, ka thënë MacNaughtan.

Lidhur me këtë, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, deklaron se qëndrimi britanik është i një rëndësie të veçantë.

“Qëndrimi i Mbretërisë së Bashkuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për dorëzimin e Milan Radoiçiqit është një akt politik me peshë të madhe, që synon të theksojë mosndëshkueshmërinë që Serbia po i garanton një personi përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë dhe për veprime të përsëritura kundër integritetit territorial të Kosovës”, thotë Shala.

“Serbia, në realitet, nuk ka as vullnet politik dhe as interes strategjik për ta dorëzuar Radoiçiqin. Ai është pjesë organike e sistemit të ndikimit të Beogradit në veri të Kosovës — një strukturë hibride ku ndërthuren politika, biznesi ilegal, krimi i organizuar dhe shërbimet e inteligjencës. Radoiçiq nuk është një aktor i pavarur, por një instrument i drejtpërdrejtë i BIA-së (Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë) dhe i rrjeteve të Ministrisë së Brendshme të Serbisë që operojnë përmes lidhjeve me grupet paraushtarake dhe të ‘vetëmbrojtjes’ në veri”, thekson Shala.

“Për këtë arsye, dorëzimi i tij do të ekspozonte drejtpërdrejt rolin e shtetit serb në sulmin e armatosur të Banjskës dhe në gjithë mekanizmin e destabilizimit që ka për qëllim minimin e sovranitetit të Kosovës. Kjo është arsyeja pse Serbia e mbron dhe e glorifikon Radoiçiqin — jo si individ, por si simbol të ‘rezistencës’ ndaj institucioneve të Kosovës dhe si mjet për të ruajtur kontrollin e terrenit përmes frikës dhe ndikimit ekonomik”, shpjegon Shala për “Bota sot”.

Më tej, Shala thotë se Serbia, përveç presionit ndërkombëtar, duhet të përballet edhe me sanksione për mosdorëzimin e kriminelit Radoiçiq.

“Në thelb, mosdorëzimi i Radoiçiqit nuk është vetëm çështje juridike — është një vendim strategjik që reflekton konceptin serb të ‘shtetit paralel’ në Kosovë, të ndërtuar përmes krimit, dezinformimit dhe instrumentalizimit të strukturave të dhunshme për qëllime politike”, përfundon për “Bota sot” eksperti i sigurisë, Drizan Shala