Guler është një kombinim në mes Ozilit dhe Gutit – Ekonomia Online

Guler është një kombinim në mes Ozilit dhe Gutit

Trajneri i Real Madridit Xabi Alonso e ka lavdëruar Arda Gulerin.

Ylli i ri turk hasi në vështirësi për t’u ambientuar në Spanjë në fillim të eksperiencës së tij me “Los Blancos”, por ai po ia sheh hairin largimit të trajnerit Carlo Ancelotti, i cili nuk i jepte hapësira të mjaftueshme.

Me trajnerin e ri, Xabi Alonso, 20-vjeçari është bërë lojtar i rëndësishëm i “Merengues” duke startuar shpesh nga minuta e parë.

E ish-futbollistin e Fenerbahçes e ka ngritur në qiell trajneri i ri i Realit, të cilin e sheh si një kombinim mes ish-yjeve të madrilenëve.

“Për shkak të talentit që ai e ka, Arda është një përzierje në mes të Gutit dhe Ozilit. Guti sepse ai kishte pasur mundësi që të luante në shumë pozita sulmuese dhe Ozil sepse më pëlqente që luajta me të. Ne na duhet që ta mbështesim, ne jemi të lumtur me nivelin e tij të lojës”, deklaroi ish-trajneri i Bayer Leverkusenit për të përditshmen spanjolle “Marca”.

Mesfushori madrilen e pati një paraqitje shumë të mirë në ndeshjen kundër Bardhezinjve ku edhe u shpall lojtari i ndeshjes.

Guler kishte pasur 96% të pasimeve të kompletuara, 10 prej tyre ishin në zonën e rrezikut.

Po ashtu, ai kishte kontribuar edhe në aspektin defanziv ku edhe e ka rrëmbyer topin 10 herë dhe i ka fituar 5 duele.

Sezonin e kaluar Arda kishte startuar vetëm në një ndeshje në grupe dhe nuk e ka pasur asnjë paraqitje në fazën eliminuese.