José Mourinho ka dhënë një intervistë të gjatë për “Sport Week”, ku ka folur për karrierën, futbollin ndërkombëtar dhe Kupën e Botës.
Duke kujtuar kohën e tij tek Interi dhe Roma, Mourinho u ndal edhe tek ish-lojtari Nicolò Zaniolo, të cilin e quajti “të veçantë” për aftësinë e tij për të parashikuar situata në ndeshje.
Ai kujtoi një moment ku kishte parashikuar se Zaniolo do të shënonte golin vendimtar në finalen e Ligës së Konferencës kundër Feyenoordit, gjë që sipas tij edhe ndodhi.
I pyetur për një lojtar që përfaqëson “elegancën” në futboll, Mourinho zgjodhi Zinedine Zidane.
“Emri i parë që më vjen në mendje është Zinedine Zidane. Marco Materazzi mund të zemërohet me mua për këtë, por të shihje Zizou të luante ishte bukuri e pastër”, tha ai.
Për jetën si trajner, ai tha se vendi nuk ka shumë rëndësi për sa kohë është me njerëzit e tij të afërt, duke shtuar se “Roma është qyteti më i bukur në botë” për të.
Duke folur për Kupën e Botës, Mourinho u shpreh shumë optimist për Portugalinë.
“Portugalia mund të bëjë gjithçka. Ka një gjeneratë të jashtëzakonshme. Ne fituam Nations League një vit më parë, dhe kjo gjeneratë është teknikisht më e fortë se ajo e Euro 2016. Portugalia mund ta fitojë këtë Botëror.”
Ai gjithashtu përmendi favoritë të tjerë si Brazili i Carlo Ancelotti dhe Argjentina.
Në lidhje me situatën e Iranit dhe debatet politike rreth pjesëmarrjes së tyre në turne, Mourinho mbajti një qëndrim të qartë:
“Futbolli dhe politika janë dy gjëra të ndryshme. Lojtarët iranianë që janë kualifikuar e meritojnë të luajnë në Kupën e Botës.”
Ai përfundoi duke theksuar se pavarësisht tensioneve jashtë fushës, futbolli duhet të mbetet sport që u jep mundësi lojtarëve të garojnë në nivelin më të lartë.



Të tjera
Arbeloa: Krenar me klubin për reagimin dhe me Valverden dhe Tchouamenin që kërkuan falje
Haxhiu: Opozita bllokoi shtetin
Kurti pasi u nominua për kryeministër: Është detyrim historik, këtë detyrë do ta përmbushim e s’na ndalë dot askush