Ndërsa ka mbetur vetëm edhe një ditë shpresë për një koalicion të mundshëm paszgjedhor për formimin e qeverisë së re, gjuha politike pozitë–opozitë ka shkuar në kulmin e degradimit.
Koalicioni për balotazhin në Vushtrri, që kryetari i degës së LDK-së atje, Xhafer Tahiri, e lidhi me Lëvizjen Vetëvendosje, ka ashpërsuar edhe më tej situatën.
Për rrjedhojë, edhe “gjuha politike e kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, është bërë dukshëm më e ashpër.”
Madje, sipas Lumir Abdixhikut, ndërsa vite më parë ishte krenari fotografimi me Albin Kurtin, tani kjo gjë është shndërruar në “turp”.
Lidhur me këtë, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, foli analisti politik Zejnullah Jakupi.
Sipas tij, Abdixhiku po e portretizon Kurtin si autokrat, përçarës dhe pengesë për bashkëpunim opozitar, çka sinjalizon një pozicionim të qartë konkurrues, e jo bashkëpunues.

“Ky lloj diskursi zakonisht nuk është rastësor. Ai ndodh në periudha kur partitë ndiejnë nevojën të dallohen qartë nga një kundërshtar që dominon skenën politike (si VV-ja sot), dhe duan të mobilizojnë elektoratin e tyre tradicional, që mund të jetë ndier i ‘pushtuar’ nga narrativa e VV-së,” thekson Jakupi.
Sipas tij, për momentin, retorika agresive është pjesë e një strategjie elektorale, jo domosdoshmërisht shenjë armiqësie të pakthyeshme.
Vitet e fundit ka pasur edhe një fushatë të ashpër mediale “anti-Kurti”.
I pyetur nëse kjo fushatë mund të ketë ndikuar edhe në disa qëndrime opozitare, Jakupi thekson se “po, ky është një faktor real.”
Në përfundim, ai nënvizon disa pika kyçe të analizës së tij:
“Diskursi ‘agresiv’ është më shumë strategjik se emocional. Bashkëpunimi LDK–VV është politikisht i ngrirë, jo i vdekur përfundimisht. Mediat dhe opinionistët po luajnë rol të dukshëm në polarizimin e narrativës publike. Në thelb, të dyja partitë po përgatiten për një garë elektorale frontale, ku secila dëshiron të jetë boshti kryesor i qendrës politike,” përfundoi Jakupi.



Të tjera
Tahiri dhe Peci përfundimisht në balotazh – diferenca mes tyre vetëm 122 vota
Rama: Miqësi personale me Kurtin, por dallime në politika
Deputeti Berisha e thërret Zemajn për t’u sqaruar për fjalët gjatë incidentit në shesh