Pritje të mëdha për balotazhin e 9 nëntorit: A do të vendosin koalicionet e fshehura fituesit?

Në 18 komuna do të zhvillohet raundi i dytë për zgjedhjet lokale të 9 nëntorit. Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje është në balotazh në 12 komuna, Lidhja Demokratike e Kosovës në nëntë komuna, Partia Demokratike e Kosovës në gjashtë komuna dhe AAK-ja në pesë komuna, raporton KosovaPress.

Në Prishtinë, sipas rezultateve preliminare, në balotazh janë (LDK – LVV), Mitrovicë e Jugut (LVV – PDK), Obiliq (LDK – LVV), Pejë (LDK – LVV), Klinë (AAK – PDK), Fushë Kosovë (LVV – LDK), Gjilan (LVV – LDK), Viti (LDK – LVV), Kaçanik (PDK – LVV), Suharekë (AAK – LDK), Prizren (PDK – LVV), Gjakovë (AAK – LVV), Junik (LDK – AAK), Rahovec (AAK – LVV), Dragash (LDK – PDK), Vushtrri (PDK – LVV), Kllokot (SRPSKA LISTA – Srpska Narodna Sloga), dhe Mamushë (Kosova Demokratik Türk Partisi – Mamuşa Halk Hareketi).

Deri tani, dy javë para balotazhit, në shumicën e komunave nuk ka koalicione formale parazgjedhore, përveç në Vushtrrisë mes LVV-së dhe LDK-së, por që kjo nuk është pranuar nga Kryesia e LDK-së. Ndërkaq, në garën për kryetar të Fushë- Kosovës, koalicione parazgjedhore kanë arritur LVV–AAK si dhe, në anën tjetër, LDK–Nisma Socialdemokrate.

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, sipas profesorit universitar dhe njohësit të çështjeve zgjedhore, Mazllum Baraliu, është i paparashikueshëm, pasi krijon mundësi për llogari, kalkulime dhe kombinime mes partive politike.

“Është e paparashikueshme për shkak se balotazhi është i tillë që krijon mundësinë për llogari, kalkulime dhe kombinime. Partitë politike, mbase si edhe më herët, mund të mbajnë koalicione të fshehta, pra të heshtura, por edhe publike që ta përkrahin njëra-tjetrën. Prandaj, nuk është çudi – siç ka ndodhur edhe më herët – që ai që ka më pak tani vota të fitojë në balotazh. Përkrahja në forma të ndryshme, duke joshur qytetarët, duke punuar më tepër me ta, e duke pasur koalicione të fshehta, mund të bëjë që i dyti të dalë i pari dhe i pari të mos fitojë në balotazh. Ka shumë komuna dhe ajo çka është e rëndësishme është që të ketë bashkëpunime ndërmjet partive politike, pasi ato nuk janë armiq dhe nuk duhet të trajtohen si të tilla. Të bëhen koalicione dhe kjo nuk është e panatyrshme,” thekson ai.

Në anën tjetër, politologu Artan Muhaxhiri thotë për KosovaPress se bashkëpunimet në balotazh do të varen nga presionet që partitë politike do t’i kenë për të arritur sukses.

Sipas tij, partitë kanë zgjedhur disa komuna të cilat janë më të rëndësishme dhe do të bëjnë çmos për t’i fituar. Ai përmend Prishtinën dhe Mitrovicën e Jugut si prioritete të LVV-së. Po ashtu, deklaron se LDK-ja e ka prioritet fitoren në Prishtinë e Pejë, ndërsa PDK-ja do të synojë të mbajë Prizrenin dhe Mitrovicën e Jugut.

“Bashkëpunimet në balotazh do të varen krejtësisht nga presionet që do t’i kenë partitë politike për të arritur sukses. Pra, është e qartë se disa parti i kanë piketuar dhe zgjedhur disa komuna, të cilat janë më të rëndësishme për to, sesa komunat e tjera. Aty do të bëjnë çmos për t’i fituar. Në anën tjetër, ka edhe vende të tjera me të cilat nuk janë marrë dhe nuk kanë investuar politikisht. Çështja kryesore do të jetë se sa do të jenë në gjendje të ndajnë pushtetin me ato parti që do t’i ndihmojnë në balotazh për t’i fituar komunat. Elektorati është i qartë dhe dihen strukturat në terren, dhe do të dihet qartë se cila parti i ka ndihmuar partisë tjetër. Çdo gjë do të varet nga prioritetet – nëse Prishtina është prioritet për LDK-në dhe LVV, por LVV-ja e ka prioritet edhe Mitrovicën, PDK e ka prioritet Prizrenin, LDK-ja po ashtu Pejën. Është një ide që të krijohet një hartë ku do të ketë disa fitues në mënyrë që të mos ketë humbës dhe fitues absolut, e pastaj secila parti ta interpretojë atë rezultat si fitore… Do të duhej që partitë në nivelin lokal të kishin më shumë autonomi në vendimmarrje dhe t’i merrnin vendimet sipas interesave të tyre, pa u dirigjuar në mënyrë të plotë nga qendra. Kjo do ta rriste më shumë demokracinë,” thekson ai.

Në zgjedhjet lokale 2021, struktura e PDK-së në formë të heshtur e kishte përkrahur Përparim Ramën për kryetar të Prishtinës.

Po ashtu, edhe në komunën e Prizrenit në vitin 2021, kandidati i PDK-së, kryetari aktual Shaqir Totaj kishte fituar në balotazh, duke u renditur i dyti në raundin e parë. Sipas LVV-së, atëherë vota e strukturave të LDK-së kishte shkuar për Totajn.

Ndërkaq, për dallim nga zgjedhjet e sivjetme, në komunën e Mitrovicës së Jugut dhe Pejës në vitin 2021 nuk ka pasur nevojë për balotazh.