Të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka nisur seanca gjyqësore në rastin ndaj ish-zyrtares së Bashkimit Evropian në Kosovë, Albina Nura.
Në këtë seancë, po jep dëshminë e saj vetë e akuzuara Nura, e cila ka sqaruar procedurat që, sipas saj, janë ndjekur në rastin e nënshkrimit të amendamenteve të kontratave.
“Sipas kontratës, unë e kam pasur të detyruar të lajmëroja vetëm punët me pagesë, pra nëse kam pasur punë me pagesë jashtë orarit të punës. As në kontratën time nuk më është kërkuar të raportoja investime të mia dhe të familjes sime. Nuk ka të bëjë ‘pragu’ me investimet e mia, vlen vetëm për implementimin e buxheteve të implementuara të BE-së”, ka thënë Nura.
Ajo ka shtuar se të gjitha transaksionet financiare janë bërë në mënyrë të ligjshme dhe të dokumentuar: “Qysh e kam dëshmuar, edhe kur jam pyetur në hetuesi, edhe kur i kam dorëzuar transferet bankare në 2020, secili transfer është bërë me kontrata, të gjitha janë te noteri. Nuk ka kurgjë në ato transfere që nuk mbështetet se janë bërë nga unë dhe burri im. Shumë prej atyre financimeve për të cilat më kanë pyetur edhe hetuesit, të gjitha janë në regjistrin e kredive dhe janë pjesë e këtij folderi”.
Sipas Nurës, të gjitha procedurat janë zhvilluar në përputhje me rregullat institucionale të Bashkimit Evropian dhe nuk ka pasur asnjë veprim të kundërligjshëm nga ana e saj.
Albina Nura akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se i ka shkaktuar dëm prej rreth 500 mijë eurosh buxhetit të BE-së, me ç’rast dyshohet për veprat penale: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Konflikt interesi”.



Të tjera
Mënyra më e shpejtë për ta eliminuar celulitin
Komuna e Gjilanit vendos kamera në qytet, thotë që ekzistojnë vetëm në Londër dhe New York
Ndalohet për 48 orë prokurori që u arr*estua për marrje ryshfeti