Nis ndërtimi i shkollës së re për nxënësit shqiptar në Kodrën e Minatorëve në veri

Nis ndërtimi i shkollës së re për nxënësit shqiptar në Kodrën e Minatorëve në veri

Është vendosur sot gurthemeli për ndërtimin e shkollës së dytë për nxënësit shqiptar në Mitrovicën e Veriut, konkretisht në Kodrën e Minatorëve, përcjell KosovaPost.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla bëri të ditur se pas më shumë se dy dekadash mësim në kontejnerë, nxënësit shqiptarë të Mitrovicës së Veriut po bëhen me shkollë të re.

“Sot, bashkë me Kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, z. Erden Atiq, Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z. Faton Peci, Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Elbert Krasniqi, si dhe Shefin e Kabinetit të MASHTI-t, z. Muhedin Nushi, vendosëm gurthemelin e shkollës së dytë në Mitrovicën e Veriut, në Kodrën e Minatorëve”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

“Ky është një tjetër hap i domosdoshëm, duke njohur rrethanat e rënduara në të cilat kanë vijuar mësimet nxënësit shqiptarë të Mitrovicës së Veriut. Siç edhe e meritojnë, fëmijët do të vijojnë shkollimin e tyre në institucione arsimore cilësore dhe në kushte të dinjitetshme. Urime të gjithë banorëve të Mitrovicës së Veriut për këtë projekt të rëndësishëm, në shërbim të brezave të sotëm dhe të ardhshëm!”, tha Sveçla.