Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në një intervistë për Radiotelevizionin e Kosovës, ka folur për zhvillimet aktuale të sigurisë në nivel global dhe ndikimin e tyre në rajonin e Ballkanit dhe në Kosovë.
Maqedonci theksoi se bota po kalon një nga periudhat më të ndërlikuara të sigurisë që nga Lufta e Dytë Botërore, me ndryshime të mëdha strategjike dhe shfaqjen e akterëve që po sfidojnë rendin global të sigurisë.
“Kemi parë invazionin rus në Ukrainë, tensionet dhe luftërat në Lindjen e Mesme, si dhe qasje gjithnjë e më agresive të disa shteteve anë e mbanë globit. Kjo ka krijuar një ambient të ri të pasigurisë, ku çdo shtet po përcakton qasjen dhe qëndrimet e veta ndaj këtyre ndryshimeve”, tha Maqedonci.
Ai foli edhe për rolin e Rusisë në rajonin e Ballkanit, duke vënë në pak përpjekjet e saj për të ndikuar përmes Serbisë në proceset integruese të rajonit drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
“Serbia, përveç lidhjeve historike dhe kulturore me Federatën Ruse, ndan me të edhe interesa të përbashkëta për të minuar proceset e integrimit euroatlantik të Ballkanit Perëndimor. Kjo politikë prodhon tensione dhe rrezikon stabilitetin në gjithë rajonin”, shtoi ai.
Ministri në detyrë vlerësoi lart punën e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë në zbulimin dhe neutralizimin e rrjeteve të spiunazhit që kanë tentuar të destabilizojnë Kosovën, duke nënvizuar profesionalizmin e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë.
“AKI-ja ka bërë një punë të shkëlqyer në goditjen e rrjeteve të spiunazhit që i shërbenin interesave të huaja. Kemi pasur arrestime të agjentëve që kanë tentuar të ndikojnë në çështje të ndjeshme për sigurinë e vendit”, theksoi tutje Maqedonci.
Duke folur për zhvillimin e kapaciteteve të Mbrojtjes së Kosovës, Maqedonci tha se shtimi i kapaciteteve me dronë luftarakë është rezultat i analizave strategjike për përshtatje me ndryshimet teknologjike globale.
“Kosova po ndërton kapacitete moderne për t’u përballur me sfidat e sigurisë të shekullit XXI. Shtimi i dronëve luftarakë është pjesë e kësaj strategjie”, u shpreh ai.
Ai rikujtoi gjithashtu se vitin e kaluar është miratuar koncepti i ri i “mbrojtjes gjithëpërfshirëse”, i cili synon të përfshijë qytetarët në sistemin e mbrojtjes përmes angazhimit vullnetar.
“Ky koncept u jep qytetarëve mundësinë të kontribuojnë në mbrojtjen e vendit. Kështu përgatisim gjeneratat e reja për të qenë pjesë aktive e sistemit tonë mbrojtës”, nënvizoi Maqedonci.
Maqedonci theksoi se Forcat e Sigurisë së Kosovës ka përmbyllur sot procesin e validimit për Regjimentin e Tretë Kombësor, duke shënuar kështu përfundimin e të gjitha fazave të validimit për regjimentet kombësore. Regjimenti i parë dhe i dyti u validuan gjatë dy viteve të kaluara.
Ai tha se termi validim në terminologjinë ushtarake nënkupton që njësi është e gatshme, e trajnuar, e pajisur dhe e përgatitur për të realizuar operacionet e fushës dhe misionet për të cilat i takon.
“Ky është një sukses i jashtëzakonshëm për Ushtrinë e Kosovës, pasi konfirmon përgatitjen e njësive luftarake në nivele të kërkuara. Validimi i Regjimentit të Tretë konsiderohet hap kyç drejt kalimit në fazën tjetër të zhvillimit të FSK-së, ku do të ndërtohen kapacitete të mbështetjes luftarake, përfshirë artilerinë e rëndë, mbështetjen ajrore, sisteme antitank dhe sisteme të tjera mbështetëse”, tha Maqedonci./rtk



Të tjera
Moti sot, me diell dhe vranësira, temperaturat në rritje
Njerëzit inteligjentë më të lumtur kur udhëtojnë vetëm
Mbreti Charles ia heq vëllait të tij, Andrew, titujt dhe e largon nga rezidenca