Zvicra mezi pret ta nisë fushatën e saj kundër Katarit dhe po duket e gatshme të zhvillojë Botërorin më të mirë në historinë e saj, por lojtarët duhet të sigurohen që ta shijojnë momentin, tha të premten kapiteni Granit Xhaka.
Duke marrë pjesë në Botërorin e tij të katërt, Xhaka tha se zviceranët janë plot besim dhe “e dëshirojnë këtë më shumë se kurrë më parë”, ndërsa do të japin gjithçka për fitore ndaj kampionit të dyfishtë radhazi të Azisë në Santa Clara të shtunën.
“Në futboll gjithmonë flasim për aspektet taktike, por duhet edhe ta shijosh momentin. Mendoj se kjo është një nga gjërat më të rëndësishme në futboll, që të dalësh në fushë dhe të ndihesh i lirë”, tha Xhaka në një konferencë për shtyp.
“Ne thjesht duam të japim maksimumin nesër. Duam të luajmë mirë për Zvicrën dhe për familjet tona. Nesër do ta hedhim hapin e parë të madh. Ky do të jetë Botërori ynë më i mirë.
“Tani jemi të paduruar”, shtoi ai. “Jemi plotësisht të përgatitur. Jemi gati fizikisht dhe mendërisht.”
Zvicra po merr pjesë në Botërorin e saj të gjashtë radhazi, një arritje që në Evropë e kanë realizuar vetëm Franca, Spanja, Anglia, Portugalia dhe Gjermania.
Megjithatë, ndryshe nga këto kombëtare, zviceranët kanë pak për të treguar nga këto paraqitje, pasi në pesë nga gjashtë Botërorët e fundit janë eliminuar në fazën e 1/8 së finales. Herën e fundit që arritën në çerekfinale ishte në vitin 1954.
Një fitore ndaj Katarit do ta vendoste Zvicrën në krye të Grupit B, përpara Bosnjës dhe bashkëorganizatorit Kanadasë, të cilët barazuan 1-1 të premten.
Xhaka, 33 vjeç, është figura kyçe e ekipit zviceran dhe lojtari me më së shumti paraqitje në historinë e kombëtares.
Ai pritet të kalojë shifrën e 150 ndeshjeve me fanellën e Zvicrës gjatë këtij Botërori, ndërsa të shtunën, nëse aktivizohet, së bashku me mbrojtësin Ricardo Rodriguez do të vendosin një rekord kombëtar me nga 13 paraqitje në Kupën e Botës.
Trajneri Murat Yakin tha se skuadra aktuale ka cilësinë e nevojshme për të bërë paraqitje të mira në Botëror dhe se synimi i tij është që ta sulmojë Katarin që në fillim të ndeshjes.
Ai shtoi se skuadra e tij, ku 17 lojtarë ishin pjesë edhe e Botërorit të kaluar, ka mësuar shumë nga ai turne, të cilin e mbylli në 1/8 e finales pas humbjes së thellë 6-1 nga Portugalia.
“Dy të tretat e lojtarëve të ekipit tim kanë luajtur tashmë në një turne të madh”, tha Yakin. “Ne i kemi mësuar leksionet nga e kaluara. Tani, katër vjet më vonë, kemi më shumë përvojë. Gjërat i bëjmë më mirë.”



Të tjera
Po, kafeja ndikon në produktivitet
Unitedi me ofertë fillestare për yllin e West Hamit
Bayerni futet në garë për Rashfordin, përgatit ofertë për Man Utd