Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në një intervistë për Radiotelevizionin e Kosovës, ka folur për zhvillimet aktuale të sigurisë në nivel global dhe ndikimin e tyre në rajonin e Ballkanit dhe në Kosovë.
Maqedonci theksoi se bota po kalon një nga periudhat më të ndërlikuara të sigurisë që nga Lufta e Dytë Botërore, me ndryshime të mëdha strategjike dhe shfaqjen e akterëve që po sfidojnë rendin global të sigurisë.
“Kemi parë invazionin rus në Ukrainë, tensionet dhe luftërat në Lindjen e Mesme, si dhe qasje gjithnjë e më agresive të disa shteteve anë e mbanë globit. Kjo ka krijuar një ambient të ri të pasigurisë, ku çdo shtet po përcakton qasjen dhe qëndrimet e veta ndaj këtyre ndryshimeve”, tha Maqedonci.
Ai foli edhe për rolin e Rusisë në rajonin e Ballkanit, duke vënë në pak përpjekjet e saj për të ndikuar përmes Serbisë në proceset integruese të rajonit drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Ministri në detyrë vlerësoi lart punën e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë në zbulimin dhe neutralizimin e rrjeteve të spiunazhit që kanë tentuar të destabilizojnë Kosovën, duke nënvizuar profesionalizmin e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë.
“AKI-ja ka bërë një punë të shkëlqyer në goditjen e rrjeteve të spiunazhit që i shërbenin interesave të huaja. Kemi pasur arrestime të agjentëve që kanë tentuar të ndikojnë në çështje të ndjeshme për sigurinë e vendit”, theksoi tutje Maqedonci.
Duke folur për zhvillimin e kapaciteteve të Mbrojtjes së Kosovës, Maqedonci tha se shtimi i kapaciteteve me dronë luftarakë është rezultat i analizave strategjike për përshtatje me ndryshimet teknologjike globale.
“Kosova po ndërton kapacitete moderne për t’u përballur me sfidat e sigurisë të shekullit XXI. Shtimi i dronëve luftarakë është pjesë e kësaj strategjie”, u shpreh ai.
Maqedonci theksoi se Forcat e Sigurisë së Kosovës ka përmbyllur sot procesin e validimit për Regjimentin e Tretë Kombësor, duke shënuar kështu përfundimin e të gjitha fazave të validimit për regjimentet kombësore. Regjimenti i parë dhe i dyti u validuan gjatë dy viteve të kaluara.
Ai tha se termi validim në terminologjinë ushtarake nënkupton që njësi është e gatshme, e trajnuar, e pajisur dhe e përgatitur për të realizuar operacionet e fushës dhe misionet për të cilat i takon.
Një pjesë e këtyre kapaciteteve pritet të ndërtohen deri më 2028 dhe disa prej pajisjeve tashmë janë arritur.
Ai tha se gjatë muajve të fundit, FSK ka pranuar disa pajisje të reja: dronë (përfshirë dronët Puma nga SHBA), automjete të blinduara, si dhe sisteme të tjera që në disa raste janë bërë publike, dhe në disa raste mbeten të klasifikuara.
Ai foli edhe për krijimin e njësitit të përbashkët të ushtrive të Kosovës dhe Shqipërisë. “Ne në vazhdimësi jemi duke u angazhuar që të punojmë më shumë vende të NATO-s , mirëpo me Republikën e Shqipërisë bashkëpunimi është shumë i veçantë. Me ministrin Piro Vengo kemi filluar shumë iniciativa të rëndësishme për dy vendet tona, duke përfshirë edhe marrëveshjen trilaterale që kemi bërë me Kroacinë dhe Shqipërinë. Jemi dakorduar për bashkëprodhim të sistemeve të armatimit dhe një njësi të përbashkët”, tha Maqedonci.
I pyetur për zhvillimet e fundit politike dhe formimin e Qeverisë së re, Maqedonci tha se nuk ka ende informacione të reja, por se sipas tij, përpjekjet për formimin e Qeverisë Kurti 3 do të vazhdojnë, në mënyrë që të finalizohen projektet e nisura gjatë mandatit të kaluar.



Të tjera
Liderët e partive në takim me presidenten Osmani
Simptomat e sëmundjeve mendore, duken si sjellje normale
Një sukses i tillë nuk është parë, prej 7 miliardë bruto produkti është rritur në 12 miliardë