Në Komunën e Gjilanit është mbajtur dëgjimi publik në kuadër të hartimit të Kornizës Afatmesme Buxhetore (KAB) për periudhën 2027–2029, ku para qytetarëve dhe përfaqësuesve të institucioneve u prezantuan prioritetet kryesore zhvillimore dhe financiare të komunës për tre vitet e ardhshme.
Sipas njoftimit nga kjo komunë, në këtë takim morën pjesë drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Mimoza Kadriu Qerimi, drejtori për Administratë, Elbasan Shabani, drejtori për Zhvillim Ekonomik, Haki Huruglica, anëtarë të Kuvendit Komunal, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, komunitetit të biznesit, mediave dhe qytetarë.
Drejtori për Buxhet dhe Financa, Avdyl Kastrati, prezantoi dokumentin strategjik financiar, i cili sipas tij përcakton orientimin e zhvillimit ekonomik, social dhe infrastrukturor të komunës.
Ai theksoi se Korniza Afatmesme Buxhetore nuk është vetëm dokument financiar, por përfaqëson vizionin e Komunës së Gjilanit për zhvillim të qëndrueshëm, menaxhim të përgjegjshëm të financave publike dhe ofrim të shërbimeve cilësore për qytetarët.
“Synojmë të krijojmë lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet nevojave të qytetarëve, prioriteteve strategjike komunale dhe mundësive reale financiare, duke siguruar që çdo euro e buxhetit të shfrytëzohet në mënyrë efikase dhe me ndikim sa më të madh në jetën e qytetarëve”, tha Kastrati.
Sipas tij, gjatë periudhës 2027–2029, Komuna e Gjilanit do të vazhdojë të investojë në fusha kyçe si infrastruktura publike, arsimi, shëndetësia, mbrojtja e mjedisit, zhvillimi ekonomik lokal dhe transformimi digjital i administratës komunale.
Kastrati theksoi se dokumenti është hartuar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe qarkoret buxhetore të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, si dhe me prioritetet zhvillimore të komunës.
Ai prezantoi edhe disa të dhëna kryesore për Gjilanin, duke bërë të ditur se komuna ka 82,980 banorë, 19,871 ekonomi familjare, 6,933 biznese aktive, 42 fshatra dhe 15,199 nxënës në arsimin parauniversitar.
Sipas tij, këta tregues dëshmojnë nevojën e vazhdueshme për investime në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe zhvillim ekonomik lokal.
Në prezantim u theksuan edhe prioritetet strategjike për periudhën 2027–2029, të cilat përfshijnë zhvillimin ekonomik lokal, përmirësimin e arsimit, modernizimin e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, investimet në infrastrukturë dhe mjedis, si dhe avancimin e qeverisjes digjitale dhe konceptit “Smart City”.
Po ashtu, u bë e ditur se buxheti i Komunës së Gjilanit pritet të rritet nga 41.9 milionë euro në vitin 2026 në 47.3 milionë euro në vitin 2029, që paraqet një rritje prej rreth 12.84 për qind.
Gjatë dëgjimit publik, qytetarët dhe pjesëmarrësit paraqitën kërkesat e tyre për projekte të ndryshme infrastrukturore dhe përmirësim të shërbimeve në lagjet dhe komunitetet e tyre, duke kërkuar përfshirje më të madhe në proceset e planifikimit buxhetor.



Të tjera
Afër 1900 gjoba për 24 orë, Policia njofton për mbi 70 aksidente e dhjetëra të arrestuar
Katër raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë
Ushtria e policia në majë, partitë politike në fund: Si u rendit besimi qytetar në Kosovë