“Osmani u takua me djalin e presidentit Trump në Arabinë Saudite”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Arabisë Saudite, prej nga mori edhe njohjen e Sirisë për Kosovën.

Presidenca ka ndarë disa detaje nga vizita e Osmanit në Arabinë Saudite, ku është bërë e ditur se ajo është takuar me disa personalitete të njohura.

Në mesin e tyre edhe Donald Trump Jr., biznesmenin amerikan dhe djali i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Gjatë vizitës, Osmani realizoi një sërë takimesh bilaterale dhe multilaterale të rëndësishme.

Postimi i plotë:

Përmbledhje e vizitës zyrtare të Presidentes Osmani në Mbretërinë e Arabisë Saudite

Gjatë vizitës së saj në Mbretërinë e Arabisë Saudite, Presidentja Vjosa Osmani realizoi një sërë takimesh bilaterale dhe multilaterale të rëndësishme, të cilat shënuan një moment të jashtëzakonshëm për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe hapjen e perspektivave të reja për integrimin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Kjo vizitë kulmoi me njohjen e Republikës së Kosovës nga Siria, me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e aleatëve.

Respektivisht, Presidentja Osmani ka realizuar takime bilaterale me:

• Shkelqësia e Tij Rumen Radev, Presidentin e Republikës së Bullgarisë, ku u fol për heqjen e masave të padrejta ndaj Kosovës dhe për përparimin e aplikimit të saj për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.

• Lartësia e Tij Mbretërore Hussein bin Abdullah al-Hashimi, Princin e Kurorës së Mbretërisë Haxhemite të Jordanisë, me të cilin u konstatua gatishmëria për të thelluar bashkëpunimin në fushat e mbrojtjes, tregtisë dhe teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (ICT).

Gjithashtu, Presidentja Osmani pati rastin të bisedojë me:

• Shkelqësia e Tij Paul Kagame, Presidentin e Republikës së Ruandës,

• Shkelqësia e Tij Edi Rama, Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë,

• Gianni Infantino, Presidentin e FIFA-s,

• dhe Donald Trump Jr., biznesmenin amerikan dhe djalin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Një moment kyç i kësaj vizite ishte takimi trilateral mes Princit të Kurorës, Mohammed bin Salman, Presidentes Osmani dhe Shkelqësisë së Tij Ahmad al-Sharaa, Presidentit të Sirisë, në të cilin u finalizua njohja e Republikës së Kosovës nga Siria — një hap historik për konsolidimin ndërkombëtar të vendit.

Në kuadër të Future Investment Initiative (FII), Presidentja Osmani ishte e ftuar në tryezën e liderëve, ku diskutimi kryesor u përqendrua në temën: “Cila është kostoja e sigurisë ekonomike?” — një debat me rëndësi të veçantë për vendet që synojnë rritje të qëndrueshme ekonomike përmes dialogut, inovacionit dhe investimeve në infrastrukturë, transformim digjital dhe inteligjencë artificiale.

Presidentja Osmani ishte gjithashtu e ftuar në darkën zyrtare të shtruar nga Princi i Kurorës, Mohammed bin Salman, për të ftuarit e FII, dhe u prit me nderime ushtarake menjëherë pas mbërritjes në Riad.

Për mbarëvajtjen e vizitës, zhvillimet më të fundit globale dhe planet për bashkëpunim të ardhshëm ndërmjet Kosovës dhe Arabisë Saudite, Presidentja Osmani dha dy intervista ekskluzive për Al Arabiya dhe Arab News.