Osmani: Do të bëj çmos të shmang zgjedhjet e reja parlamentare

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se do të bëjë çmos që t’i shmangë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
Ajo pas takimit të premten me liderët e partive politike tha se nuk kishte pajtueshmëri për çështjen e mandatarit të dytë për ta formuar qeverinë e re.
E para e vendit tha se do të komunikojë sërish me kryetarët e partive politike deri më 5 nëntor për të parë nëse ka mundësi për të mandatuar mandatarin e dytë për qeverinë e re.
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, i cili ka qenë mandatar për kryeministër, ka dështuar javën e kaluar të formojë qeverinë e re, pasi mori vetëm 56 vota nga 61 të nevojshme.
Megjithatë, e para e vendit tha se Kurti si kryetar i partisë së parë në zgjedhjet e 9 shkurtit kërkoi edhe disa ditë kohë para se të skadojë afati prej dhjetë ditësh për çështjen e mandatarit të dytë.
Osmani tha se është në diskrecionin e saj për mandatarin e dytë, porse do të veprojë se kush ia argumenton se ka shumicën parlamentare, por jo domosdo nevojën për t’ia dëshmuar me 61 nënshkrime të deputetëve.
E para e vendit theksoi se në disa aktgjykime të Kushtetueses theksohet se mandatari i dytë për kryeministër duhet të jetë i ndryshëm nga mandatari i parë i cili ka dështuar ta formojë qeverinë.
Osmani: Nëse ka propozim për mandatar të ri atëherë hyjnë në shprehje afate të reja.
“Ata disa kishin qëndrime se nuk mund të krijojnë shumicë, kishte qëndrime që dëshirojnë të takohemi sërish për propozimin për caktimin e mandatarit të ri. Sipas Kushtetutës, Presidenca i ka dhjetë ditë deri në marrjen e vendimit nëse mandatohet mandatari i dytë apo jo. Ky afat skadon deri më 5 nëntor. Deri në atë datë do të komunikoj sërish me kryetarët e partive, do të jem në komunikim me ta dhe kushdo që ka gatishmëri të takohemi sërish, unë do t’i pres në takim… 37 Kryetari i LVV-së, njëkohësisht kryeministër në detyrë, ka kërkuar që të më takojë edhe një herë para se të më skadojë afati 10-ditor për caktimin e mandatarit të dytë. Pas konsultimeve që i ka brenda partisë politike që përfaqëson. Do të vijë me propozim apo jo është çështje e tyre, mirëpo ne kemi detyrim kushtetues t’i respektojmë ato afate. Nëse ka propozim për mandatar të ri atëherë hyjnë në shprehje afate të reja. Por nëse s’ka qeveri dihet që janë tridhjetë deri në katërdhjetë ditë për mbajtjen e zgjedhjeve…44:02 Sa i përket mandatarit të dytë mundet edhe i fundit me ardhur me propozim përderisa ka argumente se ka gjasa për të krijuar shumicë. Në lidhje me atë se cilat janë kriteret ato nuk janë të përcaktuara me Kushtetutë dhe janë lënë në diskrecion të presidentes…. As nuk është që kërkohen domosdoshmërisht nënshkrime. Ajo do ta lehtësonte punën por nuk është kërkesë kushtetuese”, tha ajo.
Osmani: Do të bëjë çmos që të shmangen zgjedhjet e jashtëzakonshme
“Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese thonë që presidentja duhet të bëjë çmos që të evitojë zgjedhjet. Ky është detyrim i presidentes. Partitë politike i kanë qëndrimet e tyre, dikush dëshiron sot, dikush nesër, por detyrimi i presidentes është çmos që të evitohen zgjedhjet. Atë detyrim duhet ta kryejë në përputhje të plotë me Kushtetutën”, theksoi ajo.
Ajo tha se në takim me partitë politike nuk kishte dakordim as për miratimin e buxhetit për vitin 2026.
Osmani: Nuk kishte gatishmëri nga një numër i madh për procedim të buxhetit
Krahas kësaj, Osmani tha se edhe çështja e zgjedhjes së presidentit është përmendur në takimin me liderët e partive politike.
Osmani: E përkrah mundësinë që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli
“Një situatë e tillë u përmend pak a shumë për me paralajmëruar se mund të kemi dy palë zgjedhje në tre-katër muajt në vijim. Kjo është situatë e rëndë, jo vetëm për KQZ-në, por edhe si një situatë ku qytetarët për një periudhë të gjatë i bie që mos t’i kenë institucionet e veta kushtetuese. U diskutua edhe mundësia që të kemi zgjedhje të drejtpërdrejta të institucionit të presidentit nga populli. Kjo është një mundësi që unë e përkrah plotësisht”, përfundoi Osmani, raporton KosovaPress.
Osmani: Kurti ka kërkuar që të takohemi sërish, detyrimi im është të evitoj zgjedhjet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se në takimin konsultues, partitë i shprehën qëndrimet e tyre lidhur me mundësinë e daljes nga kriza, por tha se ajo ka kohë deri më 5 nëntor për të vendosur nëse do t’i shpallë zgjedhjet e reja apo do ta mandatojë dikë për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Kreu i LVV-së, Albin Kurti, sipas Osmanit, i ka kërkuar që të takohen sërish para 5 nëntorit.
“Kurti ka kërkuar që të më takoj edhe njëherë para se të skadojë afati 10-ditor. Do të vijnë me propozim apo jo është çështje e tyre”, tha ajo.
Osmani tha se partitë mund të duan të mbahen zgjedhje të reja, por aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese e obligojnë atë që të shmangë mbajtjen e zgjedhjeve.
“Aktgjykimet e Kushtetueses thonë që presidentja duhet të bëjë çmos t’i evitojë zgjedhjet. Partitë politike i kanë qëndrimet e tyre, detyrimi i presidentes është tjetër. Atë detyrim unë duhet ta kryej”, tha ajo, duke shtuar se duhet të dëshmojë se ka bërë çmos për t’i shmangur zgjedhjet e reja.
“Kishte qëndrime të ndryshme”, Osmani: Kushdo që ka gatishmëri të takohemi sërish, do t’i pres!
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar pas takimit që mbajti me liderët e partive politike për situatën aktuale në vend.
Para mediave, Osmani tha se në takim u diskutua për një sërë çështjes, derisa në mesin e tyre më e rëndësishmja ajo e paracaktimit të mandatarit tjetër.
E para e shtetit tha se kishte qëndrime të ndryshme, por megjithatë shtoi se kushdo që ka gatishmëri për një takim tjetër, do t’i pres.
“Disa prej përfaqësuesve kishin qëndrime që nuk ka shumicë”, tha ajo.
“Në komunikim me liderët”, Osmani: Nuk u gjet pajtueshmëri për çështjen e buxhetit 2026

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi të premten se do të komunikojë sërish me kryetarët e partive politike deri më 5 nëntor për të parë nëse ka mundësi për të mandatuar mandatarin e dytë për të formuar qeverinë e re.
Osmani pas takimit që pati me liderët e partive politike tha se kjo do të varet nga vullneti i subjekteve politike.
“Disa kishin qëndrime se nuk dëshirojnë të krijojmë shumicë, disa dëshironin disa ditë kohë”, tha ajo.
Osmani po ashtu theksoi se nuk u gjet pajtueshmëri për çështjen e buxhetit për vitin e ardhshëm.
Haradinaj: Më 5 nëntor besoj do të marrim lajmin nga Presidentja për shpërbërjen e Parlamentit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, ka thënë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Para mediave, ai tha se presidentja ka afat deri më 5 nëntor për të shpërbërë parlamentin.
“Presidentja kërkoi nga ne që të sqarojmë a e kemi shumicën parlamentare për qeverinë, sikurse që kërkoi nga ne që të gjendet zgjidhje e përkohshme për Buxhetin dhe për Fondet e BE-së. Në realitetin e tashëm, po shkojmë drejt zgjedhjeve parlamentare.
Presidentja ka afat deri më 5 nëntor afat kushtetues, kur besoj se do ta marrim edhe lajmin për shpërbërjen e parlamentit. Do të ishte në interes të Kosovës të caktohet data sa më herët, data 7 dhjetor do të ishte opsion”, ka thënë Haradinaj.
Krasniqi: Në këtë moment, rruga përpara është vetëm shpallja e zgjedhjeve

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është deklaruar pas takimit me presidenten Vjosa Osmani.
Ai thotë se nga ky takim bëri të qartë se asnjëra parti nuk mund ta bëjë shumicën e re parlamentare, transmeton Klankosova.tv.
“Diskutuam rreth mundësisë,ose jo, të në mandatari të ardhshëm, dhe ajo që është më e rëndësishme nga ky takim, është që u bë e qartë se askush uk mundet me e kriju shumicën e re parlamentare bazuar në legjislaturën aktuale”, u shpreh Krasniqi.
“Në këtë moment, rruga përpara është vetëm shpallja e zgjedhjeve”, tha tutje ai.
Zgjedhjet e reja parlamentare, që tani sipas Krasniqit duken të pashmangshme, ai tha se në takimin me Osmanin, kërkoi që të organizohen sa më shpejtë.
Abdixhiku pas takimit me Osmanin: Nuk ka shumicë parlamentare

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku është deklaruar pas takimit me presidenten Vjosa Osmani,
Ai ka deklaruar se nuk ka shumicë parlamentare për formimin e një qeverie të re.
“Në këtë takim u dëshmua ajo që LDK-ja kishte thënë gjithherë, që në Kosovë, pas rezultatit të 9 shkurtit, nuk ka shumicë parlamentare”, u shpreh ai.
Abdixhiku thotë se ky ishte deklarimi i 52 përfaqësuesve të partive.
Derisa ai shtoi se në takimin me presidenten, u përmend shpesh qeveria e tranzicionit. Por, i pari i LDk-së shtoi se një qeveri e tillë nuk mund të krijohet.
“Sa më parë që i organizojmë zgjedhjet, i shmangim krizat eventuale”, thotë ai tutje.
Abdixhiku po ashtu deklaroi se tani është në dorën e të parës së vendit, deri të mërkurën, të përcaktojë se a ka shumicë, ose nëse nuk ka.
Mandatar të ri apo zgjedhje, nis takimi i Osmanit me krerët e partive
Ka nisur takimi i thirrur nga presidentja Vjosa Osmani me liderët e partive politike parlamentare.
Takimi, po zhvillohet me dyer të mbyllura, ku dhe pritet të merret vendimi për një mandatar të ri, ose edhe për zgjedhje të reja parlamentare.
Në takim po marrin pjesë përfaqësuesit e partive kryesore politike: Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate.
Kurti para takimit të Presidentes me liderët e partive: Do të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje

Lideri i Vetëvendosjes, njëherit kryeministër në detyrë, Albin Kurti, ka arritur në takimin e thirrur nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Para takimit ai tha se do të përpiqen që të gjejnë një zgjidhje.
“Do të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje dhe falënderojmë presidenten për takimin”, tha Kurti para se të hynte në takim.
Sot, takimi i Presidentes Osmani me krerët e partive politike
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka dërguar dje ftesë kryetarëve të partive politike për takim, i cili do të zhvillohet sot në orën 12:00. Takimi është thirrur pas dështimit të formimit të qeverisë.
Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje konfirmoi se përfaqësuesit e kësaj partie do të marrin pjesë në takimin e ftuar nga presidentja Osmani dhe se aty do të paraqesin qëndrimin e tyre.
Partia Demokratike e Kosovës ka konfirmuar gjithashtu pjesëmarrjen në takimin e sotëm. Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, tha për RTKlive se në takim do të jetë i pranishëm edhe kryetari i partisë, Memli Krasniqi.
“Po, e kemi marrë ftesën dhe kryetari merr pjesë”, ka deklaruar Çitaku.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka konfirmuar pjesëmarrjen e kryetarit të saj, Lumir Abdixhiku.
“Po, kryetari merr pjesë”, ka thënë zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është bërë e ditur se në takim do të marrë pjesë kryetari Ramush Haradinaj.
“Po, kryetari Haradinaj do të marrë pjesë në takim”, ka thënë për RTKlive zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemajli.
Pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe Nisma Socialdemokrate. Xhevahire Izmaku tha se lideri i partisë, Fatmir Limaj, do të jetë i pranishëm në takim.
“Po, do të marrim pjesë në takimin e thirrur nga presidentja, në kuadër të përkushtimit tonë për dialog dhe bashkëpunim institucional”, ka deklaruar Izmaku.


Të tjera
8 mënyrat natyrale që parandalojnë rrudhat dhe plakjen e fytyrës
PDK ankohet te PZAP-ja për vendimin e KQZ-së për votimin jashtë vendit
Ja çfarë sëmundje keni nëse ju del gjumi natën