“Nuk ka dorë njerëzore që ka shkaktuar dëmin” – Mujka për përmbytjet në vendpunishten e urës në Mitrovicë

“Nuk ka dorë njerëzore që ka shkaktuar dëmin” – Mujka për përmbytjet në vendpunishten e urës në Mitrovicë

Mbrëmë është shënuar një rritje e papritur e nivelit të ujit në lumin Ibër, e cila ka shkaktuar dëme materiale në punishten e urës së re që po ndërtohet te “Tre Rrokaqiejt” në Mitrovicë.

Sipas nënkryetarit të komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, shkak i kësaj ngritjeje ishte sasia e madhe e ujit në digën e Pridvoricës si pasojë e reshjeve të shumta ditëve të fundit në rrjedhën e epërme të lumit, si dhe rrëshqitja e kanalit në Zubin Potok, që krijoi nevojën emergjente për bartjen e ujit të tepërt në lumë.

“Kemi ardhur në situatë të kalkulojmë dëmin më të vogël, edhe pse as kjo e krijuar nuk është për t’u nënçmuar. Me rëndësi është se konstruksioni i urës nuk është rrezikuar asnjëherë” tha Mujka.

Mujka ka treguar se nuk bëhet fjalë për ndonjë ndërhyrje njerëzore që ka shkaktuar dëmin, por për masa të domosdoshme të marra nga njeriu për të minimalizuar një dëm potencialisht shumë më të madh dhe afatgjatë.

Megjithatë, ai ka theksuar se niveli i ujit është stabilizuar brenda një ore, dhe sot ekipet janë duke punuar në sanimin e kanalit kryesor me synimin që niveli i ujit të mbetet i kontrolluar.

Mujka paralajmëroi se mirëmbajtja e nivelit minimal të ujit në lumin Ibër gjatë verës dhe vjeshtës është e ndjeshme dhe mund të ketë luhatje të mëdha, prandaj edhe situata të ngjashme mund të ndodhin.

Në fund, ai apeloi që ky rast të mos përdoret për qëllime politike apo elektorale, pasi, siç theksoi, bëhet fjalë thjesht për një çështje operacionale.

Ai shtoi gjithashtu se edhe operatori ekonomik mban pjesën e vet të përgjegjësisë për mënyrën e organizimit të punishtes, ndërsa falënderoi të gjithë për mirëkuptimin, me shpresën që një situatë e tillë të mos përsëritet më.