Murati me kërkesë për deputetët: Të miratohet buxheti 2025 për tri komunat që ende presin fondet

Ministri në detyrë, Hekuran Murati ka ftuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që të votojnë buxhetin e vitit 2025 për komunën e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut, sepse, sipas tij, do të mund të krijohej mundësia që komunat të paguajnë faturat e grumbulluara si pasojë e mungesës së buxhetit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri në detyrë Hekuran Murati sqaroi se përmes procedurës së përshpejtuar prej 72 orësh, Kuvendi i Kosovës mund t’i miratojë buxhetet e këtyre komunave për vitin 2025 dhe të hapet rruga për pagesën e faturave që janë grumbulluar qysh javën që vjen.

“Qeveria dje ia ka përcjellë Kuvendit të konstituuar materialin buxhetor të vitit 2025 për tri komuna që s’kishin arritur ta votonin buxhetin për vitin 2025 brenda afatit ligjor (Prishtina, Gjilani, Zubin Potoku)”, ka shkruar Murati.

Ai shfaqi shpresën që deputetët e opozitës të lënë anash, siç u shpreh ai, inatin politik e të bëjnë veprimin e duhur, fillimisht duke themeluar komisionet parlamentare, e pastaj edhe duke votuar për buxhetet e këtyre komunave.