Policia e Kosovës, konkretisht Njësia për Hetimin e Falsifikimit të Dokumenteve nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, nën autorizimin e Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, pas disa muajsh hetime intensive ka zbuluar dhe dokumentuar veprimtari të dyshuar kriminale që lidhen me falsifikimin e dokumenteve të pronave shtetërore.
Në një njoftim për medie, Policia e Kosovës bën të ditur se gjatë hetimeve është konstatuar se i dyshuari, në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka falsifikuar dokumente që janë përdorur në procedura për bartje dhe legalizim të pronave nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, me qëllim të ndryshimit të pronësisë dhe tjetërsimit të pronave shtetërore në pronësi private. Pronat më pas janë shitur duke mashtruar blerësit dhe duke përfituar shuma të mëdha financiare me vlerë milionëshe.
Tutje, Policia e Kosovës njofton se në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, më datë 01.11.2025, në dy rajone të vendit, policia ka realizuar kontrolle në një shtëpi, tri banesa dhe dy garazhe që dyshohej se ishin nën mbikëqyrje të të dyshuarit.
“Gjatë operacionit janë sekuestruar: Dokumente që lidhen me rastin (kontrata shitblerjeje, regjistra të parcelave, dosje pronash në gjuhën serbe, dokumente të paplotësuara të ish-RFJ-së); Pajisje të përdorura për falsifikim (pesë makina shkrimi të vjetra dhe një pajisje “Paper Trimmer”); Një revole e tipit Zaragio me 103 fishekë: Një telefon iPhone 17 Pro; Një orë dore Rolex’ Një zinxhir dore Rolex. Bazuar në provat e siguruara, ndaj të dyshuarit ekziston dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e këtyre veprave penale: Falsifikim i Dokumenteve; Legalizim i Përmbajtjes së Rreme; Mashtrimi; Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, thuhet në njoftim.
Më tej bëhet e ditur se i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit dhe me aktvendim të Prokurorit të Shtetit është dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa hetimet vazhdojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm.
“Policia e Kosovës, në bashkëpunim me organet e drejtësisë, mbetet e përkushtuar në luftimin e krimeve ekonomike, korrupsionit dhe çdo forme të keqpërdorimit të pronës publike, duke garantuar ligjshmëri, transparencë dhe llogaridhënie ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës”
The post Shkatërrohet rrjeti i falsifikimeve, sekuestrohen armë appeared first on Kosovapost.net.



Të tjera
Mënyrat më të mira për të shpëtuar fëmijët tuaj nga varësia ndaj teknologjisë
Tensione dhe përplasje para Kuvendit të Serbisë
Pija natyrale që ju shpëton nga kolla e thatë