Prokuroria del me detaje të reja rreth vrasjes në Drenas, i dyshuari ngarkohet me dy vepra penale

Prokuroria Themelore ka dhënë detaje të reja rreth vrasjes që ndodhi të shtunën në fshatin Fushticë e Poshtme të Drenasit.

Departamenti për Krime të Rënda ka njoftuar se personi i dyshuar i cili është arrestuar është V.P. dhe se viktima është R.Sh.

Sipas Prokurorisë, ndaj të dyshuarit rëndojnë veprat penale “Vrasja” (neni 172) dhe “Manipulimi me prova” (neni 389) të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar dhe njësitë relevante të Policisë, të cilat kanë konstatuar se ngjarja ka ndodhur në garazhin e shtëpisë së viktimës”, thuhet në njoftim.

Gjatë kontrollit në vendngjarje janë gjetur dhe siguruar një gëzhojë dhe një fishek, ndërsa arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale – një pistoletë e tipit ‘ZORAKI 917-T’ është sekuestruar në shtëpinë e vëllait të viktimës.

Sipas hetimeve fillestare, viktima R.Sh. është dërguar nga familjarët në QKMF Komoran, ku mjeku kujdestar ka konstatuar se ai ishte pa shenja jete.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është kryer edhe bastisja e shtëpisë së viktimës, pasi dyshohet se arma e përdorur në vrasje ishte në pronësi të tij.

Prokuroria ka bërë të ditur se, brenda afateve ligjore, do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit V.P.