Një vit pas tragjedisë së rëndë në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona, studentët dhe qytetarët serbë po vazhdojnë protestat kundër pushtetit të presidentit Aleksandar Vuçiq.
Tensionet janë shtuar ditëve të fundit, ndërsa përplasjet mes përkrahësve të qeverisë dhe protestuesve janë bërë gjithnjë e më të shpeshta. Para Kuvendit të Serbisë, sërish janë përballur dy grupe: mbështetësit e pushtetit, të vendosur në një kamp me tenda, dhe qytetarët që mbështesin Dijana Hrkën, nënën e njërit prej viktimave të tragjedisë.
Hrka po zhvillon grevë urie dhe ka kaluar natën e dytë para Kuvendit, duke kërkuar drejtësi dhe ndëshkimin e përgjegjësve.
“Pushteti kishte premtuar se fajtorët do të ishin në burg, por asgjë nuk ka ndodhur. Faleminderit popullit tim për mbështetjen, do të shkojmë deri në fund”, ka deklaruar Hrka.
Ndërkohë, opozita serbe e cilëson situatën si tregues të dobësimit politik të pushtetit, duke theksuar se protestat do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kërkesave të qytetarëve.
Deputetja opozitare Marinika Tepiq tha se vendi po hyn në një fazë të re të përballjes politike.
“Ky pushtet është në fazën e fundit. Kjo është një lojë nervash, por nuk ka kthim prapa. Derisa të ketë drejtësi për popullin, nuk do të ketë paqe për pushtetin”, u shpreh Tepiq.
Organizatorët e protestave kundër regjimit të Vuçiqit kanë paralajmëruar vazhdimin e demonstratave edhe në Beograd dhe qytete të tjera të Serbisë në ditët në vijim.rtk



Të tjera
Si të eliminoni gurët në veshka pa shkuar tek mjeku
SHBA propozon krijimin e një force ndërkombëtare sigurie në Rripin e Gazës
Suedia pezullon ndihmën ndaj Serbisë për shkak të korrupsionit