Presidentja Osmani uron Ditën e komunitetit ashkali në Kosovë

Mandatari i ri apo zgjedhjet

Lëvizjes Vetëvendosje i ka mbetur edhe një ditë kohë për të vendosur nëse do të propozojë një kandidat tjetër për kryeministër apo do të lejojë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Deri të hënën, kjo parti ende nuk ka marrë një vendim zyrtar.

Afati përfundimtar për propozimin e mandatarit të ri është të mërkurën, më 5 nëntor, kur skadon periudha 10-ditore brenda së cilës presidentja Vjosa Osmani duhet të vendosë nëse do të mandatojë një kandidat tjetër për kryeministër apo do të shpallë zgjedhjet e parakohshme.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili në përpjekjen e parë dështoi të sigurojë 61 votat e nevojshme për t’u bërë kryeministër, i kishte kërkuar presidentes disa ditë shtesë për të vendosur nëse do të tentojë sërish formimin e qeverisë apo do t’i bashkohet partive të tjera që kërkojnë zgjedhje.

Nga ana tjetër, partitë e tjera të përfaqësuara në kuvend janë shprehur qartë në favor të zgjedhjeve të reja. Përfaqësuesit e tyre, që të premten u takuan me presidenten Osmani, kanë deklaruar se asnjëra nga partitë që kanë përfaqësim në Kuvendin e Kosovës nuk e ka shumicën për formimin e ekzekutivit të ri.

Nëse presidentja vendos të mandatojë një kandidat tjetër, ai do të ketë në dispozicion 15 ditë për të paraqitur në kuvend programin qeverisës dhe përbërjen e kabinetit.

Kuvendi i Kosovës u konstituua më 10 tetor, tetë muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Kriza aktuale politike dhe institucionale nisi fillimisht për shkak të mosmarrëveshjeve mes partive më të mëdha shqiptare për zgjedhjen e kryetarit të kuvendit, e më vonë u thellua pas përplasjes rreth përzgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb.