I mandatuari për kryeministër të qeverisë së re të Republikës së Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka thënë se e pranon këtë nominim të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie me përulje e obligim, e këtë, siç tha, e bën nga detyra e cila na shndërron në shërbëtor të interesit publik.
“I dashur bashkudhëtar i rrugëtimit tonë, miku im Albin Kurti më lejo që qysh në fillim mund të siguroj diçka; populli pret që shumë shpejt të rikthehesh edhe më fuqishëm se sa në vitin 2021. Padyshim se ke qenë dhe do të mbetesh kryeministri më i mirë që ka pasur shteti ynë”, tha fillimisht Konjufca në fjalimin para anëtarëve të KP të LVV-së, pasi paraprakisht lideri i këtij subjekti politik, Albin Kurti e nominoi për mandatar të dytë për krijimin e qeverisë, pasi ai vetë nuk arriti t’i marrë numrat e nevojshëm në Kuvendin e Republikës për kryeministër.
“Me përulje dhe obligim më duhet ta pranoj këtë nominim të Këshillit të Përgjithshëm për mandatar kryeministri. Këtë e bëj si thirrje nga detyra e cila na shndërron në shërbëtor të interesit publik. Cili është interesi më i thellë publik i popullit dhe shtetit tonë në situatën ku ndodhemi? LVV e ka definuar këtë interes në dy shtylla në rrethanat aktuale; së pari shmangia e dy palë zgjedhjeve brenda tre muajsh dhe së dyti votimin e buxhetit për vitin 2026 pa të cilin rrezikohen dimensionet vitale të qytetarëve tanë prej mbi 80 mijë pagave të sektorit publik, pensionet e shtesat e fëmijëve, sipas rritjeve të planifikuara, e deri te projektet ekzistenciale për shoqërinë tonë”, ka theksuar Konjufca.
Çështje jo më pak urgjente sipas tij është edhe votimi i menjëhershëm i Planit të Rritjes së BE-së.
“Do të ishte e pafalshme nëse për shkak të tekeve të partive politike e humbim mundësinë e përfitimit të benifiteve qindra milionëshe, duke u krekosur se po shkojmë në zgjedhje. Edhe dy procese tjera nuk na presin; transmetuesi publik RTK menjëherë mbesin pa pagat e tyre e po ashtu edhe nuk ka kurrfarë afati shtesë për buxhetin e tri komunave Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut”, ka shtuar Konjufca.
Ai tutje tha se te LVV hovi i dëshirës imediate u thotë zgjedhje, por sipas tij, maturia shtetërore u thotë ta bëjnë një qeveri të re “e cila synon të na dërgojë së paku deri te muret e kalasë së presidentit”.
“Ky është gjykimi ynë mbi interesin aktual shtetëror të republikës së Kosovës. E ne si delegatë të Këshilli më së paku e kemi menduar e pritur se do të vijmë në këtë pikë. Si dje po më kujtohet kur vetë e propozova Albin Kurtin për mandatar, kurse ai sot po më propozon mua. Albin Kurti është personi më i votuar në historinë parlamentare të Republikës së Kosovës. Problemi i nderuari kryetar, Albin është se që aq sa e ke gëzuar popullin me gjithë këtë mbështetje, në po të njëjtën masë ke nxitur edhe shumë frikë te kundërshtarët e tu politik, të cilët u bashkuan vetëm me një qëllim, të ta pamundësojë krijimin e një qeverie për herë të tretë. Ama një gjë e dimë të gjithë nuk ka forcë që e shkëput dhe e që e ndal lidhshmërinë e popullit tonë me LVV-në”, ka nënvizuar Konjufca.
“Vetëvendosja po e bën kompromisin e vet, më shumë se kaq nuk ka mundësi. Nuk ka mundësi sepse, ne po e prezantojmë një qeveri në të cilën nuk është kryeministër Albin Kurti. E ky mendoj se është një kompromis shumë i madh për Lëvizjen Vetëvendosje. Ama tash e ka radhën opozita për kompromisin e vet. Ne kishim zgjedhje në shkurt të këtij viti, pastaj i kishim zgjedhjet lokale të cilat sapo u mbajtën më 12 tetor, e kemi tash balotazhin e zgjedhjeve lokale me 9 nëntor e nëse do t’i kemi edhe zgjedhjet në dhjetor, e konstituimi i Kuvendit nuk mund të bëhet deri në shkurt, kush na garanton se në mars me këto qëndrime të subjekteve politike që i kemi mund ta zgjedhim një presidente apo president në fillim të marsit. Kjo do ta na qonte në pesë palë zgjedhje brenda një viti. Është e papërballueshme për republikën dhe për popullin tonë”, ka thënë ai.
Më tej, ai ka thënë se si LVV po hyjnë me një qëllim të mirë në funksion të interesit publik, derisa ka ftuar partitë tjera për bashkëpunim.
“Kush e interpreton këtë që LVV po frikësohet nga zgjedhjet, se LVV nuk është e gatshme për zgjedhje, e ka shumë gabim. Nëse duan ta provojnë populli është këtu, populli është po ai i njëjti që mendon njëjtë dhe që mendoj se që nuk sheh reflektim të mirë nga i gjithë spektri politik, do të dijë qysh gjithmonë ka dhënë përgjigjen e vet, edhe në dhjetor po që se mbahen zgjedhjet. Ne po e kryejmë edhe një obligim kushtetues, detyrën që të mos shkojmë në zgjedhje pa e provuar edhe qeverinë e dytë. E megjithatë ne jemi të varur se si veprojnë partitë tjera parlamentare. Ua bëjmë ftesën më të mirë e më të sinqertë dhe ua zgjatim dorën e bashkëpunimit për këto qëllime të cilat edhe i shpjegoj kryeministri Kurti e i thashë edhe unë, prej buxhetit e të gjitha tjerat. Këto janë imediate si nevoja të Kosovës. Është i interes publik i popullit tonë dhe shpresojmë që ta gjejmë gjuhën e përbashkët me partitë opozitare, të cilat i ftoj me sinqeritet që ta arrijmë këtë projekt të përbashkët. Veç Kosova fiton prej kësaj, nëse e arrijmë. Partitë tjera e kanë në dorë nëse duan zgjedhje menjëherë tash. Të gjithë jemi në llupën e popullit, por mua po më duket se shpata e gjykimit do të jetë më e prehtë se kurrë më parë’’, ka thënë ai.



Të tjera
Çka është “gjumi i pastër”?
Detyrimi im është për të parë se kush i ka nga ata gjasat më të mëdha, Konjufca më bindi
Kurti tregon sa vota ka Konjufca dhe a mund të ketë koalicion me partitë tjera