Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka kërkuar nga partitë parlamentare që të bëhen bashkë përtej dallimeve për të formuar institucionet e reja. Ai theksoi nevojën e krijimit të një shumice të fuqishme parlamentare në Kuvend, siç tha, përtej ndarjeve politike dhe etnike që siguron ratifikimin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Kosovën, zbatimin e reformave si dhe përmbushjen e obligimeve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Orav në konferencën për media së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, pas dorëzimit të Raportit të Bashkimit Evropian për Kosovën, tha se Unionit Evropian i duhet një qeveri fuqiplotë në Kosovë që të bashkëpunojë me të.
Për t’iu ndihmuar që të arrini progres në rrugëtimin drejt integrimit evropian na duhen partnerë. Duhet të kemi një qeveri dhe të bashkëpunojmë me të. Një qeveri që bazohet në një shumicë të fuqishme në Kuvend që është në gjendje të dërgojë përpara liritë fundamentale në të mirë të qytetarëve të Kosovës. Në këtë aspekt, fatkeqësisht ky vit që po kalojmë është vit i humbur. Viti 2024 ju ishit pararendës në agjendën e reformës afër pranimit të disbursimit të parë në kuadër të Planit të Rritjes. Ju ishit duke ecur përpara në legjislacionin për SEPA që të jeni pjesë e Zonës së Pagesave Unike Evropiane. Ju ishit duke punuar që të arrini progres në reformën e gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ja ku jemi sot. Çfarë dua të them është se elita politike në Kosovë duhet të bëhet bashkë përtej ndarjeve politike dhe etnike dhe të formojë një shumicë të fuqishme e cila do të sigurojë ratifikimin e Planit të Rritjes dhe të përmbushë obligimet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Pa këtë do të ketë mundësi të tjera të humbura. Vullneti për të ndërtuar koalicion dhe kompromis është kyç”, tha ai.
Duke paraqitur Raportin për Kosovën, Orav tha se Kosova ka bërë progres në gjashtë fusha, mirëpo theksoi se shumë reforma mbesin të paplota.
Sa i përket largimit të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, Orav tha se Komisioni Evropian po synon t’i heqë ato në bazë të transferimit të rregullt të pushtetit në veri pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
Në anën tjetër, Orav u pyet edhe për plagosjen dhe rrëmbimin e një personi brenda territorit të Kosovës nga xhandarmëria serbe, mirëpo ai tha se po përpiqen t’i mbledhin informacionet dhe se janë në kontakt me autoritetet e Kosovës./kp



Të tjera
Karakteristikat e një burri ideal
E njoh qytetin dhe sfidat e tij
Trump të hënën do të takohet me presidentin sirian al-Sharaa