“Paviza.eu” – platforma e re e MPB-së për udhëtarët drejt BE-së

“Paviza.eu” – platforma e re e MPB-së për udhëtarët drejt BE-së

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka lansuar faqen e re zyrtare Paviza.eu, e cila synon t’i informojë qytetarët e Kosovës për rregullat e udhëtimit në zonën Schengen.

Në këtë faqe janë përfshirë të gjitha informatat e nevojshme dhe veglat ndihmëse për planifikimin e udhëtimit në Bashkimin Evropian, sipas rregullave të reja të lëvizjes.

Sipas njoftimit të MPB-së, përmbajtja e faqes është e ndarë në disa seksione për qasje më të lehtë:

  • Udhëzime të thjeshta për udhëtim – përfshijnë informacionet kryesore për vizita deri në 90 ditë për turizëm, qëllime familjare ose biznes, si dhe sqarime për sistemin e ri të regjistrimit të hyrjeve dhe daljeve (Entry/Exit System – EES);
  • Listë kontrolli për udhëtarë – ofron një listë me dokumentet e nevojshme për udhëtim në zonën Schengen;
  • Kalkulatori i qëndrimit – është një mjet praktik që ndihmon në llogaritjen e ditëve të qëndrimit të lejuar në vendet e BE-së.

MPB thotë se kjo platformë është krijuar për t’u ofruar qytetarëve informata të sakta, të azhurnuara dhe të lehta për përdorim, në mënyrë që udhëtimet drejt vendeve të BE-së të jenë të planifikuara dhe në përputhje me rregullat e reja evropiane.