LVV i përgjigjet Abdixhikut: Viti 2025 e dëshmon kush po bllokon përpjekjet për qeveri

Viti 2025 e dëshmon kush po bllokon përpjekjet për qeveri

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili sot kritikoi LVV-në për mungesë përpjekjesh për të krijuar shumicë parlamentare, transmeton KosovaPost.

Përmes një postimi në Facebook, Manxhuka ka ironizuar qëndrimin e Abdixhikut, duke thënë se viti 2025 tregon qartë se kush ka bërë përpjekje për formimin e qeverisë dhe kush i ka refuzuar ato.

“Lumir Abdixhiku me arrogancë tha se në vend të mbledhjeve të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së më mirë me u pasë përpjekë me partitë me bë shumicë. Ndërkaq, kështu duket viti 2025 sa i përket përpjekjeve të LVV-së dhe propozimit të alternativave karshi bllokadës së vazhdueshme të subjektit të tij dhe jo vetëm”, ka shkruar Manxhuka

Në postim, ai ka përmendur disa data kyçe që sipas tij dëshmojnë përpjekjet e LVV-së për bashkëpunim.

“9 shkurt 2025 – Zgjedhjet Parlamentare; 6 prill 2025 – Ftesë për Kryetarin e LDK-së, refuzohet ftesa; 30 prill 2025 – Ftesë për Kryetarin e PDK-së dhe LDK-së – LDK refuzon ftesën, PDK kushtëzon emrat e gjithë kabinetit qeveritar; 5 maj 2025 – Ftesë për takim me kryetarin e LDK-së, refuzohet ftesa; 26 qershor 2025 – Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese; 27 qershor 2025 – Ftesë për të gjitha subjektet parlamentare; 27 qershor 2025 – Albulena Haxhiu: “Nëse në votim të fshehtë nuk i marrë 61 vota, unë tërhiqem” 26 gusht 2025 – Ndërrohet emri për Krykuvendar pas vendimit të GjK-së, votohet Dimal Basha; 26 tetor 2025 – LVV nuk merr votat në Kuvend për formimin e Qeverisë së re, opozita nuk voton dhe 4 nëntor 2025 – LVV mandaton Glauk Konjufcën për Kryeministër, opozita sërish refuzon”, ka shkruar Manxhuka.

Manxhuka ka lënë të kuptohet se bllokada politike në vend nuk është përgjegjësi e LVV-së, por e partive opozitare.