Kurti: Më 9 nëntor në Pejë do të ndodhë kthesa historike

Më 9 nëntor në Pejë do të ndodhë kthesa historike

Lëvizja Vetëvendosje ka shpalosur para banorëve të Pejës planin zhvillimor për këtë komunë, me ç‘rast drejtues të kësaj partie kanë kërkuar ta votojnë Taulant Kelmendin për kryetar të komunës.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti,  u zotua para pejanëve se bashkë me Kelmendin, do ta zhvillojnë Pejën, e do të punojnë për realizimin e kërkesave të banorëve të kësaj komune.

“Zhvillimi i Pejës është çështje serioze që ne e marrim si prioritet edhe në Prishtinë edhe në Pejë me Taulant Kelmendin. Taulanti do të punojë edhe shumë edhe ndershëm e me transparencë. Ai do të jetë i afërt me ju. Ai do të ju troket në dyert e shtëpitë tuaja dhe do ju pyes qysh jeni? a keni ujë? a po ju funksionojnë çerdhet? Pejës i duhet një kryetar që dëgjon me vëmendje qytetarët e nuk përton të jetë pranë tyre e me ta. Peja me të do të zhvillohet e rigjallërohet. Nevojat tona bëhen përgjegjësi për ne. Taulanti është mundësia dhe garancia për ju”

Ndërsa, Taulant Kelmendi, kandidat I LVV-së për kryetar të Pejës,  premtoi investime në shëndetësi, arsim, infrastrukturë e fusha tjera.

“Sot jemi në balotazh, jemi një hap para fitores së madhe. Sot Peja pret ndryshim, pret drejtësi e mirëqenie. Ju falënderoj që herën e parë e keni votuar ndryshimin. Kemi nisur projekte bashkë me Qeverinë e Albin Kurtit. Rrugën Pejë-Prishtinë jemi duke e bërë realitet. Kemi ndërtuar qendrën e xhudos, kemi planin ta bëjmë Pejën funksionale, qytet të mirëqenies e qytet turistik”, tha ai.

Drejtues të Vetëvendosjes u shprehën se më 9 nëntor do të ndodhë kthesa historike në Pejë.