Memli Krasniqi në vizitë familjare te liderët e UÇK-së: Thaçi, Veseli dhe Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka vizituar sot familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, në shenjë solidariteti në pesëvjetorin e dërgimit të tyre në Hagë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Krasniqi ka theksuar se kjo vizitë u bë për të shprehur mbështetje dhe ngushëllim për mallin e familjeve që prej vitesh janë ndarë nga më të dashurit e tyre.

“Në pesëvjetorin e shkuarjes në Hagë të Presidentit Hashim Thaçi, Kryetarit Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqit, vizituam familjet e tyre për të shprehur solidaritetin tonë të plotë me mallin dhe vuajtjen e tyre për më të dashurit që u mungojnë prej një kohe të gjatë. Familjet Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi, megjithatë, kanë shumë më tepër arsye për të qenë krenare për bijtë e tyre, sepse ata u takojnë të gjithëve, e mbi të gjitha, Kosovës”, tha Krasniqi.

Mes tjerash, ai ka shkruar se “ata ishin bashkë në luftë, bashkë në ndërtimin e shtetit, dhe sot janë bashkë në përballjen me padrejtësinë, me të njëjtin dinjitet që i ka përcjellë gjithmonë”.