Haxhiu: Ekspozita e Hazir Rekës, dokumentim i qëndresës dhe sakrificës

Haxhiu: Ekspozita e Hazir Rekës, dokumentim i qëndresës dhe sakrificës

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vizituar sot ekspozitën personale “Dalja N’dritë” të fotografit Hazir Reka, e cila sjell para publikut momente të rëndësishme të historisë së Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haxhiu vlerësoi se fotografitë e ekspozuara rikthejnë kujtesën për periudhën 1988–1989, duke dokumentuar protestat qytetare, grevat e minatorëve dhe rezistencën e qytetarëve në kohë sfiduese për vendin.

Ajo theksoi se një vend të veçantë në ekspozitë zë greva historike e minatorëve të Trepça, të cilët, sipas saj, u bënë simbol i guximit, sakrificës dhe qëndresës në mbrojtje të të drejtave dhe aspiratave të popullit të Kosovës.

“Me trupat e lodhur dhe me zemrën e fortë, minatorët u bënë zë i Kosovës në ditët kur liria kërkonte guxim, sakrificë dhe qëndresë”, ka shkruar Haxhiu.

Sipas saj, ekspozita “Dalja N’dritë” përbën një dëshmi të rëndësishme të rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë dhe shtetndërtimit, ndërsa fotografitë e Hazir Rekës shërbejnë si një arkiv i çmuar i kujtesës kolektive.

Haxhiu ka vlerësuar se ruajtja e historisë dhe nderimi i kontributit të atyre që sakrifikuan në momentet vendimtare të vendit mbeten detyrë e përhershme institucionale dhe shoqërore.

Ekspozita paraqet një pasqyrë të ngjarjeve dhe zhvillimeve që shënuan një periudhë të rëndësishme të historisë së Kosovës, duke sjellë përmes fotografisë dëshmi autentike të rezistencës dhe përpjekjeve për liri.