Prishtinë, 8 nëntor 2025 – Pas një periudhe diskutimesh me strukturat e saj lokale dhe dëgjimit të zërit të qytetarëve, Demokracia Konservatore – Qendra Prishtinë ka njoftuar se në balotazhin e ardhshëm do ta përkrahë kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të kryeqytetit, përcjell Kosova Post.
Në njoftimin zyrtar, subjekti thekson se ky vendim nuk është rezultat i ndonjë marrëveshjeje politike apo interesi të ngushtë, por i bindjes se Prishtina ka nevojë për ndryshim thelbësor.
> “Prej vitesh, qyteti ynë është mbajtur peng nga grupe të interesit që e kanë parë Prishtinën si pronë të tyre, duke bllokuar zhvillimin dhe projektet që duhej të ishin për qytetarët. Është koha që kjo të marrë fund,” thuhet në deklaratën e partisë.
Sipas Demokracisë Konservatore, qyteti ka nevojë për punë konkrete, vizion dhe drejtim të qartë, e jo për “ankesa, arsyetime e propagandë”.
> “Ne si konservatorë besojmë në rend, përgjegjësi dhe vendimmarrje të ndershme. Prandaj e kemi parë të arsyeshme të qëndrojmë në anën e ndryshimit, pa kushte dhe pa përfitime, vetëm me një synim – që qyteti ynë të ecë përpara,” thuhet më tej në komunikatë.
Partia ka përmbyllur deklaratën me një mesazh të qartë për qytetarët e Prishtinës:
> “Ne jemi me vizionin, jo me ankesat.
Ne jemi me punën, jo me llafet.
Ne jemi me ndryshimin, jo me të njëjtën qeverisje që ka lodhur Prishtinën.”
Me këtë vendim, Demokracia Konservatore i shtohet listës së subjekteve që kanë deklaruar publikisht përkrahje për kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje në balotazhin për kryeqytetin.




Të tjera
Telefonat duhet të largohen nga tavolina e ngrënies
Aloe Vera për lëkurë më të shëndetshme
Shkoni me telefon në tualet? Ja arsyeja përse nuk duhet ta bëni më kurrë