Arrestohet komisioneri i PDK-së në Korishë të Prizrenit pas një sulmi fizik ndaj qytetarit

Arrestohet komisioneri i PDK-së në Korishë të Prizrenit pas një sulmi fizik ndaj qytetarit

Lëvizja Vetëvendosje në Prizren ka njoftuar se një komisioner i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) është arrestuar në fshatin Korishë pas një sulmi fizik ndaj një qytetari gjatë procesit të votimit.

Në reagimin e saj, Vetëvendosje e dënon ashpër incidentin, duke e cilësuar si “shenjë të arrogancës dhe të kulturës së dhunës që nuk ka vend në një proces demokratik”.

“Ftojmë organet e rendit që të merren seriozisht me rastin dhe të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore ndaj përgjegjësve”, thuhet në njoftimin e VV-së, raporton PrizrenPress.

LVV-ja u ka bërë gjithashtu thirrje komisionerëve dhe vëzhguesve të saj që të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve, duke theksuar se “asnjë forcë, pushtet apo provokim nuk mund ta ndalë vullnetin e qytetarëve për të shprehur lirshëm dhe me dinjitet votën e tyre sot”.

Policia e Kosovës ende nuk ka dhënë detaje zyrtare lidhur me rastin./PrizrenPress.com