Korenica e Hajdari optimistë para ndeshjeve ndaj Sllovenisë e Zvicrës

Korenica e Hajdari optimistë para ndeshjeve ndaj Sllovenisë e Zvicrës

Mesfushori Meriton Korenica dhe mbrojtësi Albian Hajdari janë shprehur optimistë para dy ndeshjeve të rëndësishme që Kosova do t’i zhvillojë në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026 ndaj Sllovenisë më 15 nëntor në Lubjanë dhe ndaj Zvicrës më 18 nëntor.

Aktualisht, Zvicra kryeson grupin me dhjetë pikë, pasuar nga Kosova me shtatë, Sllovenia me tri dhe Suedia me një pikë. “Dardanët” po kërkojnë fitore për të mbajtur gjallë shpresat për një vend në fazën “play-off” të Botërorit 2026.

Korenica ka thënë se ekipi po punon me përkushtim maksimal dhe se atmosfera në grup është shumë pozitive.

“Dy ndeshje shumë të rëndësishme për kombëtaren tonë. Bashkëlojtarët po përgatiten maksimalisht dhe forma e tyre është shumë e lartë. Gjithçka po shkon mirë dhe shpresoj që të marrim rezultate pozitive për të bërë historinë e Kosovës. Dalëngadalë kemi filluar të punojmë në aspektin taktik. Kemi treguar lojëra të mira dhe shpresoj të vazhdojmë me këtë formë”, është shpreh Korenica.

Ndërkohë, mbrojtësi Hajdari e ka vlerësuar intensitetin e stërvitjeve dhe përgatitjet që po bën skuadra për ndeshjen e parë në Lubjanë.

“Atmosfera është shumë e mirë. Ne jemi gati. Stërvitjet janë shumë intensive dhe cilësia është e lartë. Do ta përgatisim lojën kundër Sllovenisë për të marrë maksimumin – tri pikët. E dimë që na pret një ndeshje e vështirë, por trajneri po na përgatit shumë mirë që në ditën e lojës të japim gjithçka”, ka thënë Hajdari./rtk