Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, u bëri thirrje tifozëve që të mbushin Stadiumin Olimpik “Lluis Companys” në Barcelonë në shenjë solidariteti, për ndeshjen miqësore mes Kombëtares së Katalonisë dhe asaj të Palestinës, e cila do të zhvillohet të martën më 18 nëntor.
Në një video të postuar në Instagram, Pep Guardiola e quajti Barcelonën, kryeqytetin e rajonit autonom të Katalonisë, një ‘qytet paqeje’ dhe theksoi rëndësinë simbolike të ndeshjes miqësore.
Ai tha se kjo përballje përfaqëson një thirrje kolektive për solidaritet dhe shërben si homazh për më shumë se 400 sportistët palestinezë të vrarë në Gaza që nga tetori 2023.
“Barcelona, qytet i paqes, pret … (18 nëntor) të martën ndeshjen mes Kombëtares së Katalonisë dhe Kombëtares Palestineze në Stadiumin Olimpik,” shkroi Guardiola.
“Është shumë më tepër se një lojë, është një thirrje për solidaritet, një homazh për më shumë se 400 sportistët palestinezë që janë vrarë në Gaza. Ta mbushim stadiumin.”
Ndeshja, e organizuar me synimin për të promovuar unitetin dhe për të ngritur ndërgjegjësimin mbi situatën humanitare në Gaza, pritet të tërheqë mijëra mbështetës. Zyrtarë dhe organizata sportive kanë theksuar rëndësinë e përdorimit të sportit si platformë për të mbrojtur paqen dhe dinjitetin njerëzor.
Në maj të këtij viti, në një veprim historik, Spanja njohu shtetin e Palestinës, njëkohësisht me Irlandën dhe Norvegjinë, duke hapur rrugën që edhe vende të tjera perëndimore të ndjekin këtë shembull.
Sipas Komitetit Olimpik Palestinez dhe Federatës Palestineze të Futbollit, rreth 400 sportistë janë vrarë midis 7 tetorit 2023 dhe korrikut të këtij viti, përfshirë 245 futbollistë, mes tyre 69 fëmijë dhe 176 të rinj.
Në muajt që pasuan, numri i viktimave ka të ngjarë të jetë rritur edhe më shumë.
Që nga tetori 2023, lufta e Izraelit në Gaza ka vrarë më shumë se 69,000 njerëz dhe ka plagosur mbi 170,600 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.



Të tjera
Distria e artë, ia siguron Kosovës medaljen në Kroaci
Izr@eli refuzon 23 kërkesa për ndihmë në G@za duke lënë miliona mjete strehimi të bllokuara
Mos e teproni me mishin e kuq