OKB: Izr@eli refuzon 23 kërkesa për ndihmë në G@za duke lënë miliona mjete strehimi të bllokuara

Izr@eli refuzon 23 kërkesa për ndihmë në G@za duke lënë miliona mjete strehimi të bllokuara

OKB-ja ka bërë të ditur se Izraeli ka refuzuar 23 kërkesa për ndihmë humanitare që nga fillimi i armëpushimit në Gaza më 10 tetor, duke lënë furnizimet kritike të ndihmës të bllokuara nga hyrja në enklavë, transmeton Anadolu.

“Miliona mjete strehimi të nevojshme urgjentisht mbeten të bllokuara në Jordani, Egjipt dhe Izrael, duke pritur miratimin për të hyrë në Gaza”, tha në një konferencë për media zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.

Ai tha se “që nga fillimi i armëpushimit më 10 tetor, autoritetet izraelite kanë refuzuar 23 kërkesa nga nëntë prej partnerëve tanë për të sjellë gati 4 mijë paleta me furnizime kritike, duke përfshirë tenda, sete kuzhine, shtretër dhe batanije”.

Dujarric paralajmëroi se përkeqësimi i kushteve po i vë civilët në rrezik të mëtejshëm, duke theksuar se “kushtet e mjerueshme të jetesës gjithashtu po rrisin ekspozimin e njerëzve ndaj municioneve shpërthyese, me fëmijët ndër ata që janë më të rrezikuar”.

Dujarric gjithashtu tha se shefi i OKB-së, Antonio Guterres, dënoi “fuqishëm” valën e fundit të sulmeve të mëdha me raketa dhe dronë nga Rusia në Ukrainë, të cilat thuhet se vranë të paktën tetë persona dhe shkaktuan dëme të mëdha në disa rajone.