Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar pas shtyrjes së radhës së shpalljes së aktgjykimit në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke e cilësuar këtë vendim si thellim të padrejtësisë ndaj tyre, transmeton KosovaPost.
PDK ka shprehur indinjatën për shtyrjen e afatit, duke thënë se pas gati gjashtë vitesh paraburgim dhe një procesi disa vjeçar, kjo çështje ka kaluar përtej një vonese procedurale.
“Me shtyrjen e re, Gjykata Speciale e thelloi padrejtësinë ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së. Pas gati gjashtë vitesh paraburgim dhe një procesi gjyqësor disa vjeçar, kjo nuk është më një vonesë procedurale, por një zvarritje e pajustifikueshme që cenon besimin në drejtësi dhe rëndon padrejtësisht mbi ish-udhëheqësit e UÇK-së, familjet e tyre dhe qytetarët e Kosovës”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Kjo parti ka kërkuar që vendimi përfundimtar të bazohet në ligj, në faktet e vërtetuara gjatë procesit dhe në standardet e drejtësisë.
“Partia Demokratike e Kosovës çdo zvarritje e konsideron të papranueshme dhe kërkon që aktgjykimi të bazohet vetëm në ligj, në faktet e vërtetuara gjatë procesit gjyqësor dhe në standardet më të larta të drejtësisë, duke u larguar nga çdo pretendim i pabazuar që është ngritur gjatë këtij procesi”, thuhet më tej.
PDK ka ritheksuar qëndrimin e saj se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë çlirimtare dhe e drejtë, duke thënë se kjo, sipas saj, nuk mund të ndryshohet nga një proces gjyqësor.
“Partia Demokratike e Kosovës rithekson se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë dhe çlirimtare, e zhvilluar për lirinë e popullit të Kosovës dhe e mbështetur nga bota demokratike. Kjo e vërtetë historike nuk mund të zhbëhet nga asnjë proces gjyqësor dhe as të relativizohet nga zvarritjet e vazhdueshme”, ka deklaruar kjo parti.
PDK ka kërkuar përfundimin e procesit dhe ka shprehur pritjen që ish-udhëheqësit e UÇK-së të kthehen në Kosovë.
“Partia Demokratike e Kosovës kërkon përfundimin e kësaj padrejtësie shumëvjeçare dhe pret që drejtësia të vihet në vend, në mënyrë që ish-udhëheqësit e UÇK-së të kthehen të lirë në Kosovë, pranë familjeve dhe qytetarëve të vendit”, theksohet në reagim.



Të tjera
Përfundon marshimi nëpër Tiranë në ditën e 32-të të protestës, qytetarët thirrje: Nesër në 10-të para Parlamentit
Sporti ndihmon në përmirësimin e shikimit
Izr@eli i jep SHBA-së tokë palestineze të konfiskuar për ndërtimin e ambasadës amerikane në Kuds për 1 dollar