Kombëtarja e Kosovës synon tri pikë sonte ndaj Sllovenisë – Ekonomia Online

Kombëtarja e Kosovës synon tri pikë sonte ndaj Sllovenisë

Kombëtarja e Kosovës sot do ta zhvillojë pa diskutim, njërën prej ndeshjeve më të rëndësishme histori që prej pranimit në UEFA.

Kosova ndeshet me Slloveninë në Ljublanë, dhe të paktën një barazim ia siguron vendin në Play Off për Botërorin e vitit të ardhshëm.

Një dështim i Zvicrës në anën tjetër për ta mposhtur Suedinë, lë të hapur mundësinë edhe për një ‘finale’ në Prishtinë për kualifikim direkt në Botëror.

Kosova nuk ka probleme me lëndime, përderisa te Sllovenia pritet të mungojë Benjamin Sesko, sulmuesi i Manchester United.

Para ndeshjes dje kanë folur edhe trajneri Franco Foda dhe sulmuesi Vedat Muriqi.

Foda ka thënë se presin fitore.

“Detajet do të vendosin nesër. Në ndeshjen e parë kemi luajtur mire të dy skuadrat, por edhe kujdesshëm. Edhe nesër pres të jetë”, tha ai fillimisht.

“Amiri është pak i ngarkuar, por ka zhvilluar tri ndeshje të plota. Ai ka ndikim të madh te Kosova, shpresojmë të jetë nesër njëjtë”, shtoi ai.

“Jo vetëm individët, te Sllovenia janë të mirë edhe si grup. Edhe pse mungon Sesko, ka shumë lojtarë të mirë, që mund të na bëjnë problem”, tha Foda.

Sulmuesi i kombëtares dardane, Vedat Muriqi është paraqitur në konferencë për media, para ndeshjes së madhe me Slloveninë.

Ai është shprehur optimist për fitore, teksa ka pasur edhe një kundërpërgjigje për trajnerin e Sllovenisë, i cili kishte thënë se edhe pa Benjamin Seskon do të fitojnë ndaj Kosovës.

“Tabela tregon që Kosova ka bërë më mirë se Sllovenia, nuk e di ku e ka marrë atë vetëbesim. Edhe ne jemi ambicioz. Ne kemi katër pikë më shumë se Sllovenia momentalisht. Shpresojmë për fitore deri në momentet e fundit. Siç shpresojnë e gjithë Kosova për mua, edhe unë shpresoj që të shënoj gol ndaj Sllovenisë”, ka thënë Muriqi.